Aplikacione

Facebook-u, pavarësisht skandalit të ish-punonjëses denoncuese, fitime të mira


Kompania e mediave sociale, Facebook, ka njoftuar fitime më të mira se sa pritej për tremujorin e tretë teksa vazhdon të përballet me shtypin për dokumentet e brendshme të zbuluara.

Agjencia e lajmeve, “BBC”, tregon se për tre muajt deri në shtator, kompania arriti nëntë miliardë dollarë fitim, nga 7.8 miliardë dollarë vitin e kaluar.

Paçka fitimit, Facebook-u u godit nga një përditësim i ri i privatësisë në sistemin operativ iOS 14 të Apple-it, i cili e bëri më të vështirë për markat që të synojnë reklamat te përdorues të veçantë.

Kjo vjen mes pretendimeve të reja për sjellje jo-etike të bëra nga një ish-punonjëse.

Ajo, Frances Haugen, ka nxjerrë një sasi të dokumenteve të brendshme për publikun, duke pretenduar se kompania e vendosi fitimin përpara sigurisë së përdoruesit.

Raporte të shumta mediatike mbi këto dokumente kanë zbuluar se Facebook-u ka luftuar për të moderuar përmbajtjen që promovon gjuhën e urrejtjes dhe trafikimin jashtë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shefi i kompanisë, Mark Zuckerburg, u ka thënë investitorëve në një telefonatë konferencë se “çka po shohim është një përpjekje e koordinuar për të përdorur në mënyrë selektive dokumentet e rrjedhura për të paraqitur një pamje të rreme të kompanisë sonë”.

Për  rregullat e privatësisë së Apple-it, kompania ka thënë se përditësimi i privatësisë do të ketë ndikim në biznesin e tij digjital në tremujorin e fundit të vitit, por se pritet të përshtatet në kohë me ndryshimet.

Facebook-u ka njoftuar edhe se do të shpenzonte rreth 10 miliardë dollarë në ndarjen e saj metaverse këtë vit, e njohur si Facebook Reality Labs, çka do të jetë përgjegjës për software dhe përmbajtje të realitetit të shtuar dhe atij virtual.

Nga ana tjetër, kompania është nën vëzhgim nga ligjvënësit dhe rregullatorët globalë, duke përfshirë edhe Komisionin Federal të Tregtisë, i cili ka ngritur një padi antitrust mbi pretendimin për praktika antikonkurruese.

Dokumentet e rrjedhura nga ish-punonjësja, tanimë denoncuese e Facebook-ut, vetëm sa e kanë intensifikuar presionin, tregon “BBC”.

Ato përfshijnë kërkime të brendshme rreth efekteve të Instagram-it në shëndetin mendor të adoleshentëve, nëse platformat e Facebook-ut nxisin përçarjen dhe trajtimin e tij për trazirat e 6 janarit në Capitol.

Në një seancë dëgjimore, Haugen u tha deputetëve në Mbretërinë e Bashkuar se Facebook-u “pa diskutim po e përkeqëson situatën e gjuhës së urrejtjes”.

Dhe se ekipet e sigurisë në kompani nuk kishin burime të pamjaftueshme dhe se “Facebook-u nuk ka qenë i gatshëm të pranojë sakrifikime të vogla të fitimit për sigurinë”.

Ndërkaq, deputetët po shqyrtojnë se çfarë rregullash të reja do të vendosin në rrjetet e mëdha sociale sipas projektligjit të planifikuar për sigurinë në internet.

Zuckerberg nuk i ka kaluar situatat në heshtja.

Ai ka thënë se “kritika me mirëbesim na ndihmon të përmirësohemi, por pikëpamja ime është se ne po shohim një përpjekje të koordinuar për të përdorur në mënyrë selektive dokumente të zbuluara për të paraqitur një pamje të rreme të kompanisë sonë”.

“Realiteti është se ne kemi një kulturë të hapur që inkurajon diskutimin dhe kërkimin mbi punën tonë, në mënyrë që të mund të bëjmë përparim në shumë çështje komplekse që nuk janë specifike vetëm për ne”, ka shtuar shefi i kompanisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore