Lajme

ExxonMobil kishte parashikime të sakta të ngrohjes globale para 40 vitesh


Që në vitet ’80, gjigandi i naftës ExxonMobil kishte parashikime jashtëzakonisht të sakta për ngrohjen globale të bëra nga vetë shkencëtarët e tij, të cilat rezultuan të ishin pikërisht ajo që ndodhi dekada më vonë, ka konfirmuar një studim i ri i publikuar të enjten.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia franceze “AFP”.

Pavarësisht kësaj, kompania prej vitesh ka hedhur publikisht dyshime mbi gjendjen e njohurive shkencore në këtë çështje, nënvizoi ky studim, i publikuar në revistën prestigjioze “Science”.

ExxonMobil, një nga kompanitë më të mëdha të naftës në botë, “modeloi dhe parashikoi ngrohjen globale me saktësi të jashtëzakonshme, vetëm për të përfunduar duke shpenzuar dekada duke mohuar të njëjtën shkencë klimatike”, i tha AFP-së – Geoffrey Supran, bashkautor i kësaj vepre.

Prej disa vitesh, ExxonMobil është akuzuar se ka mbajtur një diskutim të dyfishtë mbi ndryshimet klimatike, të shkaktuara nga sasitë e mëdha të gazeve serrë të lëshuara nga njerëzimi në atmosferë, veçanërisht përmes djegies së qymyrit ose naftës për të prodhuar energji.

Madje, kundër kësaj kompanie janë nisur disa procedura ligjore në Shtetet e Bashkuara, disa prej të cilave ende vijojnë.

Seancat dëgjimore u mbajtën në Parlamentin Evropian dhe në Kongresin Amerikan.

Por kjo është hera e parë që projeksionet e bëra nga shkencëtarët e grupit janë analizuar sistematikisht dhe krahasuar me ato të studiuesve të tjerë në atë kohë, si dhe me ngrohjen e vërejtur në të vërtetë më pas.

Pika fillestare janë dokumentet – të dhënat publike dhe publikimet shkencore – të zbuluara në 2015 nga gazetarët e Inside Climate News dhe Los Angeles Times, që tregojnë se kompania e dinte prej kohësh se ndryshimi i klimës ishte real dhe i shkaktuar nga aktivitetet njerëzore.

Një studim i parë shkencor, i kryer në vitin 2017 nga të njëjtët studiues si ai i publikuar të enjten, e kishte shtrirë këtë investigim gazetaresk duke analizuar saktësisht gjuhën e përdorur nga kompania fillimisht në këto dokumente, pastaj publikisht.

Në total, studiuesit analizuan 32 dokumente të brendshme të prodhuara nga shkencëtarët e ExxonMobil midis viteve 1977 dhe 2002, dhe 72 botime shkencore që ata ishin bashkëautor midis 1982 dhe 2014.

Këto dokumente përmbajnë 16 parashikime të temperaturës.

“Dhjetë prej tyre janë në përputhje me vëzhgimet e bëra më pas”, vëren studimi.

Nga gjashtë të tjerët, dy parashikuan ngrohje edhe më të madhe.

Mesatarisht, ata parashikuan një ngrohje prej rreth 0.2°C në dekadë, që në të vërtetë korrespondon me normën aktuale.

Dhe parashikimet e bëra nga studiues të tjerë në atë kohë ishin pak a shumë të ngjashme.

Megjithatë, drejtuesit e grupit kanë bërë pikërisht të kundërtën, këmbëngul studimi, i cili citon fjalët e ish-CEO të ExxonMobil Lee Raymond në vitin 2000: “Ne nuk kemi një kuptim të mjaftueshëm shkencor të ndryshimeve klimatike për të bërë parashikime të arsyeshme. Në vitin 2013, CEO i atëhershëm Rex Tillerson tha se kishte “pasiguri” rreth “stimujve kryesorë të ndryshimit të klimës”.

Disa nga studiuesit e punësuar nga kompania kanë dëshmuar para Kongresit Amerikan.

Njëri prej tyre, Martin Hoffert, i pyetur në vitin 2019 nga demokratja e zgjedhur Alexandria Ocasio-Cortez, e cila nënvizoi se sa të sakta kishin dalë parashikimet e tij, më pas ishte përgjigjur thjesht: “Ne ishim shkencëtarë të shkëlqyer”.

Të enjten, Organizata Botërore Meteorologjike konfirmoi se tetë vitet e fundit kanë qenë më të nxehtat e regjistruara.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore