Lajme

“Evropianët që hanë bretkosa, salsiçe dhe makarona, vizita juaj në Kiev është e kotë”, thotë Medvedev


Nënkryetari i Këshillit të Sigurimit rus dhe njëkohësisht ish-Presidenti i Rusisë, Dmitry Medvedev, ka zgjedhur një metaforë kulinare për të përshkruar vizitën e tre liderëve të BE-së, kryeministrit italian Mario Draghi, presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelarit të Gjermanisë, Olaf Scholz, në Ukrainë.

Me anë të një statusi në median sociale Twitter, Medvedev shkruan se “evropianët, ngrënësit e mëdhenj të bretkosave, salsiçeve dhe makaronave, u pëlqen të vizitojnë Kievin”, dhe e konsideroi vizitën e tyre si të “padobishme”.

Ish-presidenti rus shkruan nëse delegacioni evropian i premtoi Ukrainës anëtarësimin në BE dhe “topa të vjetër luftarakë”.

“U dehën me holirka (vodka ukrainase) dhe shkuan në shtëpi me tren, si 100 vite më parë”, vijonte statusi i Medvedev-it.

Një ironi e padëgjuar e tij, veçanërisht sepse, ndërsa bën thumbime sociale, alarmi nuk pushoi së tingëlluar në Kiev.

“Gjithçka është në rregull, por ky mision nuk do ta afrojë Ukrainën më afër paqes. Koha po mbaron”, përfundon shkrimi i  Medvedev, të cilin muajt e fundit e kemi parë me një retorikë të rrezikshme dhe shpesh të pavend.

Edhe Kremlini zyrtar komentoi vizitën e tre udhëheqësve.

Ai i konsideron dërgesat e armëve për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, si “të kota”.

“Ne dëshirojmë që liderët e këtyre tre vendeve nuk do të fokusohen vetëm në mbështetjen e Ukrainës dhe në planet për të vazhduar ta mbushin atë me armë. Është absolutisht e padobishme dhe vetëm sa do t’i shkaktojë më shumë dëm këtij vendi”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov.

Ndërkohë, kreu i Zyrës së presidentit Zelensky, Andriy Yermak, i shkroi një mesazh të qartë Evropës në Telegram, duke shprehur rëndësinë e ndihmave të BE-së.

“Siguria ushqimore, armët dhe mbështetja për Ukrainën janë tema të rëndësishme për diskutim. Ne presim përkrahje për aplikimin e Ukrainës për anëtarësim në BE”.

Marrë nga “Corriere della Sera”, përshtatur për Albanian Post!

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore