Bota

Evropa kthen sytë nga Sputnik V


Qasja evropiane ndaj vaksinimit, ka qenë e qartë që në çastin e parë. Vaksinat amerikane të kompanive Pfizer dhe Moderna, do të lehtësonin situatën e krijuar nga pandemia. Një opsion po aq i mirë nga AstraZeneca, filloi të merrte popullaritet, pas testeve të suksesshme. Vaksinën e parë të prodhuar ndërkohë, rusen Sputnik V, nuk e përfillën aspak.

Thuajse dy muaj pas vaksinimit të parë në Britaninë e Madhe, Evropa po e sheh veten në vështirësi. Vonesa të shumta ka pasur nga kompania Pfizer. Shtete si Italia apo Gjermania, kanë kërcënuar se do të çojnë në gjykatë mos respektimin e kontratave nga ana e amerikanëve.

E njëjta gjë ndodhi edhe me kompaninë Moderna. Pavarësisht faktit se vaksina e kësaj kompanie doli më vonë se ajo e Pfizer-it, kërkesat ishin të larta. Efektshmëria ishte e ngjashme, me mbi 90% mbrojtje. Vonesat në dërgim, ishin gjithashtu të ngjashme. Dy kompanitë amerikane, nuk ia dolën të furnizonin Evropën ashtu si ishte parashikuar.

Me aprovimin e vaksinës së Oxfordit nga AstraZeneca, u duk sikur kontinenti i vjetër, do t’i jepte fund vuajtjes për të nisur vaksinimin masiv. Ajo çfarë ndodhi, ishte e ngjashme me kompanitë amerikane. Një fillim shumë i mirë me shpërndarjen. Më pas, me rritjen e kërkesave, një ngërç në arritjen e prodhimit.

Kompania britanike vazhdoi në hapat e dy gjigandëve amerikanë. Vetë Britania madje, po has vështirësi me plotësimin e kërkesave të saj. Bashkimi Evropian, edhe më shumë.

Premtimet në letër ishin të mëdha. Një fushatë e shpejtë dhe efikase, duhet të imunizonte popullsinë brenda vjeshtës, ose së paku, të ulte riskun e mundshëm nga një valë e tretë apo e katërt. E vetmja gjë që po përdoret për uljen e riskut, vazhdon të jetë marrja e masave për distancim social.

Sytë nga Sputnik V

Sputnik V u shpërfill tërësisht kur u shpall me krenari si vaksina e parë kundër Covid-19 në botë. Bashkimi Evropian e cilësoi si një provë force nga ana e Kremlinit. Besueshmëria tek ajo ishte gjithashtu e ulët.

Vetëm vende shumë pranë Rusisë e porositën fillimisht atë. Ndër më të rëndësishmet, Kina, Brazili, por edhe Koreja e veriut. Me vonesat nga kompanitë amerikane, edhe Meksika iu drejtua vaksinës ruse si opsion lehtësimi.

Përsa i përket Evropës, Bjellorusia nuk priti asnjë çast për të marrë ndihmën e vëllezërve të tyre rusë. Serbia gjithashtu, preferoi vaksinat lindore ruse dhe kineze.

Vendi i parë anëtar i BE-së, ndërkaq, që porositi vaksinën ruse, ishte Hungaria. Pavarësisht ndarjes adekuate të dozave për vendet anëtare, mungesa e furnizimit dhe situata jo e mirë epidemiologjike, e shtynë Hungarinë të hidhte sytë drejt lindjes.

Nëse situata vazhdon kështu, edhe shtete të tjera evropiane kanë dhënë sinjale se, do të kenë një qasje të ndryshme ndaj Sputnik V. Kjo gjë, shton sigurisht presionin ndaj kompanive perëndimore farmaceutike.

Dy rrugë, janë të vetmet e mbetura në luftën ndaj Covid-19. E para, është përshpejtimi i ritmit të prodhimit nga Pfizer-i, Moderna dhe AstraZeneca. Kjo, jo vetëm do të qetësonte tensionet e krijuara, por do të shmangte dhe proceset gjyqësore.

Rruga e dytë, ajo më e frikshmja, është vazhdimi i kërcënimeve midis BE-së dhe kompanive perëndimore. Mbi të gjitha, hedhja e syve nga Sputnik V, gjë që, pa diskutim, do të ishte një shuplakë ndaj perëndimit dhe një fitore ruse.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore