Shqipëria

Evis Berberi dhe ortakët mbeten në burg, do të hetohen të arrestuar


Apeli i Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, për të marrë lirinë, duke lënë në fuqi vendimin e GJKKO-së dhe duke përcaktuar se ai do të hetohet e gjykohet në kushtet e arrestit.

Po ashtu, edhe dy bashkëpunëtorët e tij, Ervis Lami dhe Valter Begaj, të akuzuar për korrupsion dhe pastrim parash, do të vijojnë të hetohen në kushtet e mungesës së lirisë.

Më 29 mars, Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka sekuestruar pasuritë e dy ortakëve të ish-kreut të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, biznesmenëve Valter Begaj dhe Ervis Lami.

Kjo pasi ata akuzohen për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Teksa, më 16 mars, GJKKO ka vendosur që të lërë në burg ish-kreun e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi, dhe dy ortakët e tij Valter Begaj dhe Ervis Lami.

Avokati i Berberit, Gentian Romano, pas përfundimit të seancës tha se asnjë person nuk ka përfituar tender në mënyrë të padrejtë nga Berberi.

Sipas tij, një çështje civile tregtare SPAK e ka kthyer në çështje penale.

Për avokatin, Berberi s’ka asnjë lidhje me kompanisë “DAAM” sh.p.k, pasi atë e ka shitur.

Ai tregoi edhe qëndrimin që ka mbajtur Berberi në seancë bashkë me dy ortakët e tij, duke thënë se i kanë kundërshtar akuzat e ngritura nga SPAK.

“Abuzohet në mënyrë të papërshtatshme me vlerat ekonomike. Këto gjëra do sqarohen, do paraqiten nga ana jonë analiza të mirëfillta ekonomike. S’ka vlera të fituara. Një proces juridik civil tregtar e kthyen në çështje penale”.

SPAK e hetoi Berberin pasi gjatë kohës që ai ka qenë në krye të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë dhe në krye të Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dhënë gjashtë tendera kompanisë së ortakut të tij, Valter Begaj  “NET – GROUP”, sh.p.k.

Kjo e fundit – përmes transaksioneve – paratë ia kalonte kompanisë “DAAM” që Berberi zotëronte dhe kontrollonte në mënyrë indirekte.

SPAK thotë se përfitim i Berberit ka qenë një shumë gati 2.2 milionë euro, të cilat janë investuar në pasuri të paluajtshme.

Gjatë kontrollit në banesën e Berberit u gjetën gati 4 milionë lekë si dhe piktura të cilat janë konsideruar si ryshfet nga SPAK, por Evis Beberi pretendon të jetë artist duke pohuar se i kishte realizuar vetë.

Ndërkaq, SPAK ka zbardhur zyrtarisht akuzën ndaj Evis Berberit, ish-drejtuesit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, i cili u arrestua mbrëmjen e 13 marsit me urdhër të gjykatës.

Po ashtu, ndaj Berberit ishte zhvilluar edhe një kontroll i imtësishëm në banesë nga prokurorët e BKH-së, me urdhër të SPAK. E gjitha, pasi Prokuroria e Posaçme kishte hapur një hetim për korrupsion dhe pastrim parash ndaj Berberit.

Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, siç mësohet kanë gjetur shuma parash në banesën e Berberit, të cilat dyshohet se janë përfituar përmes akteve korruptive.

Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar kryesisht procedimin penal Nr. 214, të vitit 2023, për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë”, “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëpunim, “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim.

Nga analiza e provave të marra deri në këtë fazë të hetimit është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, shtetasi E. B., fillimisht në cilësinë e ish Drejtorit të Përgjithshëm për Efiçencën e Energjisë, më pas në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëria “N……. Group”,sh.p.k., (që është përfituesi i prokurimeve publike të zhvilluara gjatë kohës kur shtetasi E. B. ishte titullar i autoritetit kontraktor), përfitime të parregullta monetare të marra në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet shoqërisë “D……. sh.p.k., të kontrolluar prej tij.

Marrja e këtyre përfitimeve është realizuar pas fitimit të procedurave të prokurimit nga ana e shoqërisë “N…… Group”, sh.p.k., në zotërim të shtetasit nën hetim V. B., prokurime publike të zhvilluara me titullar të autoritetit kontraktor, shtetasin E.B., dhe më pas kanë kaluar vlera monetare nëpërmjet transaksioneve në drejtim të shoqërisë në zotërim indirekt të shtetasit E. B. “D…..” sh.p.k, me përfitues shtetasin E. B..

Këto vlera monetare të përfituara në mënyrë të parregullt, nëpërmjet shtetasve V. B., E. L. dhe B. B., i ka investuar në veprimtarinë ekonomike për blerjen e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “D…..”sh.p.k, që përbëjnë edhe produkte të veprës penale.

Në këto rrethana shtetasi E. B., dyshohet për kyerjen e veprave penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga neni 287, gërma “d” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.

Ndërsa shtetasi V. B. në cilësinë e ortakut të shoqërisë “N….. Group”, sh.p.k, për shkak të fitimit të procedurave të prokurimit publik të zhvilluar nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë dhe Autoriteti Rrugor Shqiptar, me titullar të autoritetit kontraktor shtetasin E. B., ka transferuar vlera monetare në drejtim të shoqërisë “D……” sh.p.k, në zotërim indirekt të shtetasit E. B., por që është menaxhuar nga shtetasit B. B., E. L. dhe V. B., me qëllim dhënien e përfitimit të parregullt shtetasit E. B.

Në lidhje me veprimet e kundraligjshme të tyre shtetasit V. B., E. L. dhe B. B., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kanë konsumuar elementë të veprës penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 244, 25 i Kodit Penal.

Investimi në veprimtarinë ekomike të këtyre vlera monetare të përfituara në mënyrë të parregullt, për blerjen e pasurive të paluajtshme në emër të shoqërisë “D…..”sh.p.k, janë bërë gjatë kohës që kanë qenë ortak të shoqërisë shtetasit V. B., E. L. dhe B. B., që përbëjnë edhe produkte të veprës penale.

Në këto rrethana, shtetasit V. B., E. L. dhe B. B., në bashkëpunim me shtetasin E. B., dyshohen për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga neni 287, gërma “d” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore