Shqipëria

Evidentohen 90 raste të krimeve mjedisore


Policia e shtetit ka njoftuar se nё funksion tё kontrolleve intensive në Shqipëri, janё evidentuar gjatё 24-orёve tё fundit, 90 raste tё krimeve mjedisore.

Konkretisht ёshtё bёrё me dije se janё parandaluar: 35 raste të “Ndërtimi i paligjshëm”, 13 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, 23 raste të “Pushtim toke”, shtatë raste të “Ndotja e ajrit”, një rast i “Ndotja e ujërave”, një rast i “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”, dy raste të “Shpërdorim toke”, një rast i “Shkatërrim prone”, një rast i “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura”, dy raste të “Menaxhimi i mbetjeve”, dy raste “Gërryerja e lumenjve” dhe dy raste të “Peshkimi i ndaluar”.

Sipas njoftimit tё policisё, në këto krime mjedisore janë përfshirë 106 autorë sipas veprave të ndryshme penale, nga të cilët pesë janë arrestuar në flagrancë, 100 janë proceduar në gjendje të lirë dhe një është shpallur në kërkim.

Vetëm gjatë mbrëmjes së djeshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë njoftuan se, janë prishur dy furra artizanale që shërbejnë për prodhimin e gëlqeres, si dhe është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. L, 47 vjeç, i cili ishte i shpalllur në kërkim për veprën penale “Ndotja e Ajrit”.

Ky shtetas është kapur në flagrancë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në faqen e malit të Picrragës, duke rindezuar dy furra për prodhim gëlqereje, duke përdorur për zjarr materiale fasonerie dhe goma të përdorura.

Policia njoftoi gjithashtu se, vijon kontrolli masiv i territorit pa ndalim gjatё gjithё ditёve tё javёs pёr tё parandaluar, evidentuar dhe goditur çdo paligjshmëri, në cilëndo fushë që ajo do shfaqet.

Teksa u bëri edhe thirrje qytetarëve për të denoncuar çdo paligjshmëri të kësaj natyre, në numrin pa pagesë 112 ose tek Komisariati Digjital.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore