Sport

Euro 2023 për U-21/ Bushi: Edhe ne jemi ekip modest si Andorra


Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë U-21, Alban Bushi, ka folur në konferencën për shtyp para sfidave eleminatore që “shpresat” do të luajnë për Kampionatin Evropian 2023.

Kuqezinjtë do të luajnë të enjten në “Elbasan Arena” përballë Andorrës dhe katër ditë më vonë, po në Elbasan do të presë Slloveninë.

Bushi ka vlerësuar maksimalisht kundërshtarin në të dy takimet. Ai shprehet se kombëtarja U-21 është e motivuar dhe gati për të lënë pas krahëve humbjen në Çeki.

“Me Andorrën brenda një viti e gjysmë kemi luajtur tre ndeshje, dy i kemi fituar dhe një kemi marrë barazim atje”,  tha Bushi për mediat.

“Është një ekip që ne e kemi vlerësuar maksimalisht, si nga ana e stafit, po ashtu edhe lojtarët. E shohim si të kemi Gjermaninë përballë”.

“Ashtu si Andorra, edhe ne jemi një ekip modest, por ne kemi shpirtin e garës dhe luftën për të fituar një ndeshje e kemi shumë të madhe. Nëse na mungon kjo atëherë kemi probleme. Mendoj se këtë radhë nuk do të na mungojë”.

Për përballjen me Slloveninë, tekniku tha se “Do të jetë një kundërshtar i vështirë, por vëmendja dhe objektivi janë tre pikët me Andorrën”.

Më tej, Bushi vijoi duke folur për qëllimet e punës së tij te U-21 dhe për elementët e talentuar që merr nga kampionati shqiptar i futbollit.

“Ekipet e moshave kanë si objektiv për të furnizuar ekipin e parë, por ne kemi edhe objektivat tona personale dhe objektive”, shtoi tekniku.

“Ne mundohemi që t’i japim afrojmë lojtarët që janë në kampionatin shqiptar, për moshën e caktuar që kanë dhe që mund të luajnë me në”.

“Por ka lojtarë inteligjentë dhe jo inteligjentë. Çdo lojtar duhet të kuptojë që kur thirret nga ekipi Kombëtar, nuk është e rëndësishme që të luajë patjetër, por thjesht ty të ka ardhur ftesa, që do të thotë të përfaqësosh 20 më të mirët e Shqipërisë”.

“Duhet ta shohë nga ana pozitive dhe duhet të jetë stimul për ata. Ka edhe nga ata që e kuptojnë këtë, por edhe nga ata që nuk e kuptojnë”.

“Jam munduar që t’i stimuloj dhe që ta vlerësojnë Kombëtaren më shumë, pasi shoh që edhe në Kombëtaren A shkojnë lojtarë edhe të moshave të vogla. Që do të thotë se kanë cilësi, si Broja, Kumbulla, Muçi”, përfundoi 48-vjeçari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore