Lajme

EULEX-i mirëpret heqjen e barrikadave dhe uljen e tensioneve në Veri


Ilustrim

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë EULEX, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se ka mirëpritur uljen e tensioneve në pjesën Veriore të Kosovës dhe rivendosjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë ata që jetojnë dhe punojnë në katër komunat veriore pas heqjes së barrikadave ilegale.

EULEX-i, thuhet më tej në këtë komunikatë, prej ditës kur u vendosën barrikadat deri në ditën e largimit të tyre, ka mbështetur institucionet e sundimit të ligjit të Kosovës për ruajtjen e stabilitetit dhe sigurisë së të gjitha komuniteteve të saj në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe me KFOR-in.

Nga nëntori bënë të ditur EULEX, iu është përgjigjur kërkesave zyrtare të Policisë së Kosovës për të shtuar ndjeshëm patrullat vëzhguese të këtij misioni ndërkombëtar përshirë edhe patrullimet në këmbë për të monitoruar nga afër situatën e sigurisë në terren.

“EULEX-i  ka dërguar furnizime esenciale për policët e Policisë së Kosovës në Pikë-kalimin e Përbashkët në Jarinjë më 17 dhjetor.  Ka shoqëruar policët e rregullt të Policisë së Kosovës për ta bërë ndërrimin dhe zëvendësimin e policëve të rregullt në stacionin policor në Leposaviq më 24 dhjetor”, thuhet në komunikatën për media.

EULEX-i gjithashtu ka njoftuar se njësitet relevante të tij po monitorojnë nga afër edhe rastin e ish-policit të Kosovës nga komuniteti, Dejan Pantiç, të cilit iu ndryshua masa e sigurisë nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

“Në veçanti, Misioni, avokoi për mbrojtjen e të drejtave themelore të D. P. nga autoritetet e Kosovës. Lehtësoi transportin e barnave të D.P. Kreu dy ekzaminime mjekësore të D. P. më 17 dhe 24 dhjetor, me kërkesë të autoriteteve përgjegjëse të Kosovës. Ofroi mbështetje për Policinë e Kosovës për transferimin e D.P. në vendbanimin e tij më 28 dhjetor, pas një kërkese zyrtare të autoriteteve të Kosovës dhe në përputhje me vendimin për vendosjen e D.P. në arrest shtëpiak”, thuhet më tej në komunikatë.

EULEX-i, bënë të ditur kjo komunikatë, mund ta plotësojë këtë vakum të sigurisë i krijuar si pasojë e dorëheqjes së serbëve nga institucionet qendrore dhe komunale, vetëm pjesërisht përmes pranisë së shtuar në terren.

“Misioni nuk mund ta zëvendësojë Policinë e Kosovës apo ndonjë autoritet tjetër të sundimit të ligjit. Prandaj, kthimi në marrëveshjet përkatëse të Dialogut që e rregullojnë integrimin në Policinë e Kosovës dhe në gjyqësor është esencial”.

“Brenda kufijve të mandatit të tij, Misioni do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, si dhe sigurinë e të gjitha komuniteteve të saj. Për këtë qëllim, EULEX-i do t’i monitorojë nga afër hetimet përkatëse dhe çdo procedurë ligjore të mëvonshme për ta promovuar respektimin e të drejtave të njeriut”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore