Lajme

Escobar, Lajçak e Vuçiç mbetën në takim deri në mesnatë


Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, deklaroi se sa i përket targave dhe disa çështjeve madhore nuk mund të ketë zgjidhje kompromisi.

Lajmi u bë i ditur nga agjencitë vendase, duke cituar publikimin e Vuçiç-it në median sociale.

“Besoj se do të mund të arrijmë një zgjidhje kompromisi në ditët në vijim, së paku për një pjesë të tyre, pasi është e qartë se sa i përket targave dhe disa çështjeve madhore, një zgjidhje e tillë nuk mund të arrihet fare”, u shpreh fillimisht presidenti serb.

Pjesa e dytë e bisedës mes Vuçiç, dhe të dërguarit special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak dhe të dërguarit të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar përfundoi 15 minuta pas mesnate.

Presidenti serb shtoi se ajo që shpreson nuk është e sigurt dhe se duhen shumë garanci dhe shumë më tepër punë, transmeton RTS-ja.

Në takim morën pjesë edhe ambasadorët e SHBA-ve dhe BE-së në Serbi, Christopher Hill dhe Emmanuel Giofre.

Vuçiç u takua më herët edhe me Lajçakun dhe Escobarin, pas së cilës deklaroi se bisedimet nuk kanë qenë të lehta dhe se do të vazhdonin në orën 22:00.

Para takimeve në Beograd, të dërguarit special të BE-së dhe SHBA-së biseduan me përfaqësues të Listës Serbe.

Eskobar tha pas takimit se janë shqyrtuar shqetësimet e kryetarit, ndërsa Lajçak tha se opsionet e mira janë ato që ruajnë paqen dhe atmosferën normale në terren.

Lajçak dhe Escobar erdhën në Beograd nga Prishtina, ku biseduan me autoritetet kosovare, në përpjekje për të arritur një marrëveshje ndërmjet palëve.

Kurti: Serbia është duke e eskaluar si retorikën ashtu edhe veprimin

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore