Lajme

Escobar e Hill besojnë se e kanë dërguar Serbinë kah Perëndimi, faktet tregojnë të kundërtën, thotë Serwer


Daniel Serwer

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, beson ligjëruesi në Universitetin “John Hopkins”, Daniel Serwer po e favorizon Serbinë me një qasje të butë ndaj saj.

Referenca më e qartë për këtë sipas tij është mos-reagimi i SHBA-ve ndaj deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Millosh Vuçeviçit.

Së fundmi ambasadori i SHBA-ve në Serbi, Christopher Hill, në një intervistë për “Zërin e Amerikës” i kishte dalë në mbrojtje ministrit të Mbrojtjes Vuçeviç. Hill nuk i kishte vlerësuar se destabilizuese deklaratat e Vuçeviç-it se “njohja e Kosovës do t’i godasë në kokë Malin e Zi e Maqedoninë e Veriut”.

“Qëndrimi i Amerikës ndaj Serbisë zbret në një politikë qetësimi. Nuk mendoj se kjo do të ndryshojë deris në Serbi të jetë struktura aktuale diplomatike”, ka thënë Serwer në një intervistë për mediumin malazez “Pobjeda”.

Serwer ndër të tjera ka theksuar se Uashingtoni hesht për shumë gjëra sa i përket Serbisë përfshirë korrupsionin në nivele të larta, kërcënimet serbe për përdorim të forcës, sulmet e financuara nga Beogradi ndaj trupave të NATO-s, refuzimi i Vuçiç-it për t’u angazhuar në zbatimin e marrëveshjes së arritur së fundmi në dialogun Kosovë – Serbi.

Serwer beson se arsye për këtë janë Gabriel Escobar dhe Christopher Hill.

“Përshtypja ime është se Escobar e Hill janë të bindur se e kanë çuar Serbinë kah Perëndimi, pavarësisht fakteve bindëse dhe të qarta për të kundërtën”, tha Serwer.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore