Shqipëria

Erdogan: Përqasja e NATO-s, më e rëndësishme se ajo e BE-së


Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në konferencën e përbashkët për shtyp deklaroi se përqasja e NATO-s është më e rëndësishme se ajo e Bashkimit Evropian.

Kjo, pasi BE-ja ende nuk ka hapur kapitujt e parë me të dyja vendet.

Ndërsa, referuar NATO-s, Erdogan kujtoi që Turqia mbetet një nga anëtaret më të fuqishme të saj.

Fillimisht, kreu i shtetit turk nënvizoi se mbledhja e përbashkët e ministrave të të dy vendeve do të bëhet në gjysmën e parë të vitit.

Për numrin një të presidencës turke, takimi i 17 janarit ishte një ravijëzim i marrëdhënieve të shkëlqyera në nivele të larta.

“Jemi investitori më i madh në Shqipëri me 3.5 miliardë dollarë investime. Besoj që këto shifra do të rriten më shumë me ndihmën e autoriteteve shqiptare”, shtoi kreu i qeverisë turke.

Në theksin e fjalës së Erdogan-it ishte dhe lufta e përbashkët ndaj organizatës terroriste FETO.

“Të merren hapa më të shpejta kundër FETO-s në Shqipëri”, ishte thirrja e numrit një të presidencës turke.

Erdogan pati dhe këshilla për kryeministrin Rama, duke i kujtuar se turizmi dhe kultura janë një ministri e vetme në Turqi.

Rindërtimin e xhamisë së Ethem Beut, kreu i qeverisë turke e konsideroi një vlerë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore.

Marrëveshjet

Palët nënshkruan më herët shtatë marrëveshje të reja bashkëpunimi mes tyre.

Fillimisht u firmos një protokoll bashkëpunimi ndërmjet drejtorisë së arkivit shtetëror të Turqisë dhe drejtorisë se përgjithshme të arkivit të Shqipërisë.

E dyta përfshinte një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e rinisë dhe sporteve ndërmjet dy ministrive të dy vendeve.

Marrëveshja e tretë është bashkëpunimi ndërmjet agjencisë Anadolu dhe agjencisë telegrafike shqiptar.

Në radhë të katërt u firmos një memorandum mirëkuptimi për bashkëpunimin në fushën e trajnimeve për zbatimin e ligjit ndërmjet qeverisë turke dhe asaj shqiptare.

Memorandum mirëkuptimi u nënshkrua edhe në fushën e menaxhimit të fatkeqësive ndërmjet drejtorisë se emergjencave dhe ministrisë së brendshme turke.

Marrëveshja e radhës ishte një memorandum mirëkuptimi ndërmjet ministrisë së jashtme të Turqisë dhe diplomacisë shqiptare për bashkëpunimin ne fushën e protokollit.

E fundit marrëveshje përfshinte një protokoll bashkëpunimi ndërmjet Drejtorisë se Përgjithshme Shtetërore të Operës dhe Baletit dhe ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Turqisë.

Ndërtimi i vizitës

Erdogan mbërriti në Shqipëri mëngjesin e 17 janarit.

Kreu i shtetit turk mori pjesë fillimisht në ceremoninë e shpërndarjes së çelësave të banesave në Kurbin.

Këto të fundit u ndërtuan me financimin e qeverisë turke.

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019 që tronditi vendin, autoritetet turke u mobilizuan për të ndihmuar Shqipërinë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, presidenti turk e konsideroi gëzimin e shqiptarëve edhe si gëzimin e tij.

“Vëllai i qëndron pranë vëllait, kur ka nevojë dhe jo kur thirret”, ravijëzoi Erdogan.

Një nga mesazhet e shpërndara prej tij ishte zgjatja përgjithmonë e miqësisë mes Turqisë dhe Shqipërisë.

“Ne ndajmë historinë e përbashkët, vlerat e qytetërimeve. Gjatë pandemisë COVID kemi ndihmuar vëllezërit në nevojë”, shtoi Erdogan.

Lidhur me angazhimin e qeverisë turke, kreu i shtetit turk shpreson që shtëpitë e ndërtuara të jenë të favorshme për qytetarët e Laçit.

Kostoja e 522 banesave ishte rreth 42 milionë euro.

Në përmbyllje të fjalës, numri një i presidencës turke u vlerësua me titullin “Qytetar Nderi i Kurbinit”.

Kjo, si shenjë falënderimi për përkushtimin e tij ndaj kauzës që preku shqiptarët.

Erdogan u vlerësua edhe për mbajtjen e fjalës mbi premtimin e zonës rezidenciale.

Ky vlerësim iu dorëzua nga kryetarja e Bashkisë së Kurbinit, Majlinda Cara.

Në vijim, po në nder të tij, u zhvillua edhe ceremonia e emërtimit të sheshit në qytetin e Laçit.

Duke filluar nga 19 janari, ai do të mbajë emrin sheshi “Erdogan”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore