Lajme

Erdogan i mohon ekzistencën kryeministrit grek


Presidenti turk Reccep Tayyip Erdogan deklaroi se kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis “nuk ekziston më” për të.

Kjo, duke akuzuar liderin grek se po përpiqet të bllokojë shitjen e avionëve F-16 në Turqi gjatë një vizite në Shtetet e Bashkuara.

“Ai nuk ekziston më për mua. Unë kurrë nuk do të pranoj të takohem me të. Ne do të vazhdojmë rrugëtimin tonë me politikanë të respektuar”, theksoi fillimisht Erdogan.

Lajmin e bëri të ditur publikimi “Euractiv”.

“Ne kemi rënë dakord të mos përfshijmë vendet e treta në mosmarrëveshjen tonë me të. Pavarësisht kësaj, ai vizitoi Shtetet e Bashkuara javën e kaluar, iu drejtua Kongresit dhe i paralajmëroi ata që të mos na dorëzonin një F-16”, u shpreh presidenti turk në një konferencë shtypi.

Në tetor, Turqia i kërkoi Shteteve të Bashkuara të blinin 40 avionë luftarakë Lockheed Martin F-16 dhe gati 80 përmirësime të avionëve luftarak ekzistues.

Turqia dhe Greqia, të dyja aleatë të NATO-s, janë në mosmarrëveshje për shumë çështje, si kufijtë detarë, madhësia e shelfit të tyre kontinental, hapësira ajrore dhe Qiproja e ndarë etnikisht.

Në vitin 2019, Uashingtoni e përjashtoi Ankaranë nga një program i përbashkët i prodhimit të F-35.

Kjo, pasi Turqia bleu dhe mori sistemet ruse të mbrojtjes raketore S-400 në muajin korrik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore