Shqipëria

Emisioni i Rai-t, PD kërkon interpelancë urgjente me Ramën


Grupi parlamentar i Partisë Demokratike (PD) këtë të enjte të 25 prillit ka kërkuar një interpelancë urgjente me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Kjo në lidhje me emisionin e Rai 3 me fokus marrëveshjen e Qeverisë shqiptare dhe italiane për migrantët.

Në kërkesën e PD-së thuhet se, emisioni “Report” në televizionin publik italian paraqiti informacione për lidhjet e forta të krimit të organizuar me qeverisjen e Edi Ramës.

Në parashtrimin e kërkesës, grupi parlamentar i PD-së shprehet se “në përgjigje të këtij investigimi, kryeministri Rama ka lëshuar akuza në drejtim të kanalit televiziv italian RAI 3, drejtuesve të tij, moderatorit të emisionit ‘Report’ dhe gazetarit që ka realizuar investigimin”.

“Në këto kushte, me qëllim dhënien e informacioneve dhe shpjegimeve lidhur me shqetësimet e paraqitura në përmbajtje të investigimit të emisionit ‘Report’, në televizionin italian RAI 3, si dhe ndërhyrjen tek drejtuesit e këtij televizioni lidhur me këtë investigim nga ana e Kryeministrit Edi Rama, kërkojmë zhvillimin e një interpelance urgjente me kryeministrin Edi Rama”.

Emisioni “Report”, i transmetuar të dielën e 21 prillit në kanalin publik italian Rai 3 ka ngjallur diskutime të shumta, përfshi edhe replika në distancë, për shkak të tematikës së trajtuar, ku pretendohet përfshirje e zyrtarëve të lartë shqiptarë në vepra korruptive dhe kapje e shtetit nga mafia.

Lidhur me këto, emri më i përfolur ka qenë ai i Engjëll Agaçit, sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, të cilit i jepet edhe një rol ndërmjetësi sipas dokumentarit dhe aty diskutohet për lidhje të mundshme me mafien.

Por, situata ka qenë e tensionuar, me replika në distancë fillimisht midis vetë Agaçit dhe autorëve të emisionit Report.

Më pas, edhe me përfshirjen direkte të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili gjithë emisionin e ka quajtur një shpifje dhe ka përmendur faktin se Agaçi i ka kthyer përgjigje emisionit, por fjalët e tij nuk janë paraqitur në asnjë çast në mbi 60 minutat e dokumentarit.

Arsyeja, sipas gazetarit të emisionit, Sigfridio Ranucci, është sepse në fakt Agaçi ka vërtetuar gjithçka thotë emisioni në përgjigjet e tija me shkrim. Teksa, Ranucci, ka përmendur edhe faktin se do të ketë një tjetër emision më të thelluar lidhur me çështjen.

Tashmë, është bërë publik edhe email-i me përgjigjet e Agaçit për emisionin, të dhëna nga sa shihet në dokument më 5 prill 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore