Shqipëria

Emigrimi i prindërve lë pasoja të rënda te fëmijët shqiptarë, sipas raportit të Bankës Botërore


Mbi 184 milionë njerëz ose 2.3 për qind e popullsisë së botës, jetojnë jashtë shtetit të tyre të origjinës.

Të paktën kështu rezulton nga një raport i fundit i Bankës Botërore.

Çka reflekton se emigracioni mbetët një sfidë jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën.

Thuajse gjysma e tyre janë nga vende me të ardhura të ulëta dhe të mesme.

Sipas konkluzioneve të raportit të Bankës Botërore, emigracioni sjell efekte mjaft negative edhe kur anëtarët e familjes përfitojnë nga remitancat e dërguara prej emigrantëve.

Emigrantët shqiptarë kanë dërguar 834 milionë euro gjatë vitit të shkuar, niveli më i lartë prej vitit 2008.

Dhe ato janë burimi i vetëm financiar për gati 26 për qind të familjeve shqiptare, duke mbajtur gjallë konsumin përmes përfshirjes financiare të popullatës, por duke dekurajuar punësimin.

Raporti, lidhur me Shqipërinë, ravijëzon se largimi i prindërve në emigrim prek drejtpërdrejtë fëmijët në sferën sociale.

Ata e frekuentojnë më pak shkollën dhe kanë mirëqenie të dobët.

Po ashtu theksohet se ata kanë probleme me sjelljen dhe gjendje të rënduar emocionale.

Vendet me të ardhura të mesme të larta kanë numrin më të lartë të emigrantëve, por në kontrast vendet me nivele të mesme të ardhurash si Shqipëria dhe Republika Domenikane, kanë normat më të larta të emigrimit ne krahasim me vendet e tjera te botes.

Sakaq, migrimi ekonomik është i lartë, duke e privuar më tej vendin nga talentet dhe fuqia punëtore.

Kurse për ata që qëndrojnë, cilësia e jetës është gërryer në zonat urbane.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore