Lajme

Emigrantët nga Bjellorusia: Polonia ‘i frikësohet’ përshkallëzimit të armatosur


Polonia ka paralajmëruar për një përshkallëzim të mundshëm “të armatosur” në kufirin e saj me Bjellorusinë, nga frika se fqinji i saj mund të përpiqet të provokojë një incident me qindra emigrantë që kërkojnë të kalojnë në Bashkimin Evropian (BE).

Trupa shtesë janë vendosur pasi turmat u përpoqën të këpusin një gardh kufitar me tela me gjemba.

Autoritet nga Polonia, Bashkimi Evropian dhe NATO thonë se Bjellorusia është duke orkestruar problemin, një pretendim i mohuar nga udhëheqësi i saj.

Anëtarët e BE-së dhe NATO-s, Polonia, Lituania dhe Letonia kanë parë një rritje të numrit të njerëzve që përpiqen të hyjnë ilegalisht në vendet e tyre nga Bjellorusia në muajt e fundit. Shumë prej tyre kanë ardhur nga Lindja e Mesme dhe Azia.

Temperaturat gjatë natës në kufi kanë rënë nën zero dhe disa emigrantë kanë vdekur javët e fundit. Aktivistët thonë se emigrantët – shumë prej tyre të rinj, por edhe gra dhe fëmijë – po përdoren si pengje në një lojë politike midis Bjellorusisë që nuk është pjesë e BE, drejtuar nga udhëheqësi autoritar Aleksandër Lukashenko, dhe fqinjëve të saj.

Zëdhënësi i qeverisë polake, Piotr Muller tha se deri në 4 mijë emigrantë ishin mbledhur pranë kufirit lindor të Polonisë dhe u tha gazetarëve se në një moment ata prisnin “një përshkallëzim, i cili do të jetë i një natyre të armatosur”.

Kreu i departamentit të sigurisë kombëtare të Polonisë, Stanislaw Zaryn, tha se emigrantët ishin nën kontrollin e njësive të armatosura bjelloruse.

“Bjellorusia dëshiron të shkaktojë një incident të madh”, tha më parë zëvendësministri i Jashtëm Piotr Wawrzyk.

Ministria e mbrojtjes e Bjellorusisë hodhi poshtë deklaratat polake si të pabaza dhe akuzoi Varshavën për shkelje të marrëveshjeve duke lëvizur mijëra trupa në kufi.

BE-ja pretendon se lideri bjellorus po provokon fluksin në hakmarrje ndaj sanksioneve të bllokut.

Polonia dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian (BE) kanë akuzuar Bjellorusinë se po përpiqet të provokojë një krizë të re refugjatësh në Evropë.

Kjo në shenjë hakmarrjeje për kritikat e tyre ndaj liderit, Aleksandër Lukashenko.Polonia ka raportuar më shumë se 23 mijë kalime të paligjshme kufitare këtë vit.

Shumë prej emigrantëve po përpiqen të ikin në Gjermani.

Masat e marra

Që nga fillimi i muajit, ajo ka regjistruar 9 mijë e 600 përpjekje për kalime në territorin e saj.

Parlamenti polak më herët ka miratuar një ligj, sipas të cilit rojet kufitare lejohen t’i dëbojnë menjëherë emigrantët që kalojnë kufirin ilegalisht.

Ata do të kenë fuqi të refuzojnë kërkesat për azil ndërkombëtar, pa i shqyrtuar më parë.

Ky vendim ka nxitur edhe reagimin e grupeve të të drejtave të njeriut, të cilat akuzojnë Poloninë se dëshiron të legalizojë kthimin e emigrantëve.

Polonia dhe BE-ja e kanë akuzuar presidentin Lukashenko-n për dërgimin e një fluksi emigrantësh.

Marrë nga BBC, përshtatur për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore