Lajme

Emërimi i Nenad Rashiç, anti-kushtetues, thonë ekspertët


Foto ilustruese nga Albanian Post

Në bazë të Kushtetutës së Kosovës, përkatësisht nenit 96, pikës 5, mbi “Ministritë dhe Përfaqësimin e Komuniteteve”, emërimi i politikanit serb, Nenad Rashiç si ministër për Komunitete dhe Kthim nga kryeministri Albin Kurti, nuk përkon me frymën e Kushtetuës.

Në një prononcim për Albanian Post, ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, ka thënë se vendimi për ngarkimin e Rashiç’it në pozitën e ministrit, është “anti-kushtetues”, pasi që sipas tij, dispozitat kushtetuese përcaktojnë qartë se ministrat dhe zëvendësministrat nga radhët e komuniteteve jo-shumicë në Kosovë, duhet ta kenë miratimin e grupit më të madh minoritar që përfaqësohet në Kuvend.

“Zgjedhja e Qeverisë bazohet në nenin 96, pikën 5 të Kushtetutës së Kosovës. Kushtetuta thotë se ministrat të cilët zgjidhen, duhet të marrin pëlqimin e komunitetit që ka përfaqësimin më të madh në parlament”.

Në këtë rast, zëvendësimi i Goran Rakiç’it, udhëheqës i Listës Serbe, partisë më të madhe -nga ky komunitet në Kosovë dhe emërimi i një politikani tjetër që nuk e ka aprovimin e kësaj partie konsiderohet si “suspendim i Kushtetutës nga ana e Kurtit”.

“Rashiçi s’është deputet dhe emërimi është anti-kushtetues”, sqaroi Kryeziu për AP.

Edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në një prononcim për mediumin Koha, ka theksuar se për caktimin e ministrave që s’janë pjestarë të Kuvendit, kërkohet votim i shumicës së deputetëve që përfaqësojnë atë komunitet.

“Ky emërim në aspektin kushtetues ka defekte jashtëzakonisht serioze”, pohoi fillimisht Hasani duke argumentuar se “për emërimin e ministrave dhe zëvendësministrave që nuk janë anëtarë të Parlamentit kërkohet miratimi formal i shumicës së komuniteteve që janë deklaruar se e përfaqësojnë atë komunitet që është pakicë në Kosovë”.

Gjithashtu, edhe Bashkimi Evropian emërimin e Rashiç-it e ka konsideruar si jo në linjë me Kushtetutën dhe njëkohësisht bëri thirrje që institucionet kosovare t’i respektojnë dispozitat që burojnë nga parimi bazë i demokracisë.

Gjykata Kushtetuese është instanca më e lartë dhe e fundit e interpretimit të Kushtetutës në një rend demokratik dhe secili verdikt i saj vlen si precedent për një kontest juridik.

Ndryshe, Lista Serbe ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarim lidhur me këtë vendim.

Krejt kjo paknaqësi e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës, u krijua pasi Qeveria kishte vendosur ta zbatonte masën e shkallëzuar për targat ilegale serbe – zyrtarët serbë që punonin në institucionet e Kosovës dhanë dorëheqje si shenjë proteste.

Megjithatë, Kosova iu kthye negociatave në Bruksel, nën presionin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe palët u morrën vesh për de-eskalim të situatës.

Kosova pezulloi gjobat dhe konfiskimet, ndërsa Serbia suspendoi lëshimin e targave ilegale me emërtimet e qyteteve të Kosovës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore