Lajme

BE-ja: Emërimi i Nenad Rashiç si ministër për Komunitete është anti-kushtetues


Peter Stano

Bashkimi Evropian, emërimin e politikanit serb, Nenad Rashiç, si ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e ka cilësuar si jo-kushtetues.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media, ka bërë të ditur se emërimi i ministrave, në veçanti atyre që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë, duhet të bëhen në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

“BE-ja dhe shtetet anëtare i bëjnë thirrje Kosovës që të sigurojë që të gjitha hapat e nevojshëm procedural gjatë emërimit të ministrave që përfaqësojnë komunitet joshumicë janë respektuar plotësisht”, ka thënë Stano.

Sipas Stano-s, Unioni pret që për emërimin e politikanit serb Rashiç si ministër për Komunitete të vendosë Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

“Respektimi i Kushtetutës është pjesë kyçe e sundimit të ligjit, të cilit presim që Kosova t’i përmbahet”, ka shtuar Stano.

Respektimi i ligjit në këto momente, sipas Stano-s, është e rëndësishme marrë parasysh se sa fragjile është situata në teren.

“Situata tashmë është shumë e brishtë, jemi në një situatë të përshkallëzuar.Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme”.

“Mos-respektimi i kushtetutës do të na çonte në rritje të tensioneve. Më lejoni të përsëris thirrjen e Bashkimit Evropian dhe thirrjen e 27 vendeve anëtare që të dyja palët të punojnë menjëherë në kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës në përputhje me marrëveshjet e dala nga dialogu”.

Nenad Rashiç dhe Albin Kurti

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten, kishte emëruar Nenad Rashiç’in, Ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Rashiç vjen në këtë pozitë si zëvendësim për të dorëhequrin, Goran Rakiç.

Rashiç zë vendin e Goran Rakiç-it, i cili kishte dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit.

Në anën tjetër emërimin në fjalë nuk e ka mirëpritur Lista Serbe.

Emërimi i Rashiç si ministër pa pëlqimin e deputetëve serbë, sipas Listës Serbe, është antikushtetues.

“Konkretisht, me këtë emërim, Albin Kurti ka shkelur nenin 96, paragrafin 5 të Kushtetutës, ku thuhet se për emërimin e një ministri nga radhët e popullit serb, i cili nuk është deputet, duhet pëlqimi i shumicës së deputetëve serbë, të cilën Albin Kurti nuk e ka bërë, e as Rashiq nuk e ka mbështetjen e deputetëve tanë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore