Lajme

EMA, kërkesë BE-së për mosaprovimin e vaksinës ruse


Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) i ka kërkuar Bashkimit Evropian të mos japë aprovim urgjent për vaksinat ruse.

Një zyrtare e lartë e EMA-s u ka kërkuar anëtarëve të BE-së të përmbahen nga dhënia e miratimeve kombëtare për vaksinën ruse Sputnik V. Agjencia rishikon sigurinë dhe efektivitetin e saj.

Christa Wirthumer-Hoche, kryetarja e bordit drejtues, u shpreh se duhen dokumente që t’i shqyrtojnë.

“Për momentin nuk kemi të dhëna për njerëzit e vaksinuar. Është e panjohur. Kjo është arsyeja pse unë do të këshilloja urgjentisht kundër dhënies së një autorizimi kombëtar të emergjencës”.

Ajo shtoi se Sputnik V do të jetë në treg vetëm kur të rishikohen të dhënat e duhura.

“Paketat e të dhënave vijnë nga prodhuesit rusë dhe natyrisht ato do të rishikohen sipas standardeve evropiane për cilësinë, sigurinë dhe efikasitetin. Kur gjithçka të provohet, atëherë ajo do të autorizohet edhe në Bashkimin Evropian”.

Sputnik V tashmë është aprovuar ose po vlerësohet për miratim në tre shtete anëtare të BE-së (Hungari, Sllovaki dhe Republika Çeke). Zyrtarë të BE-së kanë thënë që Brukseli mund të fillojë negociatat me një prodhues të vaksinave nëse, të paktën katër vende anëtare, e kërkojnë atë.

Wirthumer-Hoche u shpreh gjithashtu se Komiteti i EMA-s për Produkte Medicinale për Përdorim Njerëzor (CHMP) do të mbajë një takim, më 11 mars, për të shqyrtuar vaksinën Johnson & Johnson COVID-19 për përdorim në BE.

“Ne presim një vlerësim pozitiv dhe se Komisioni Evropian shpejt do të japë autorizim” .

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore