Lajme

Eksperti i njohur i vrasësve serialë, gënjeshtar patologjik


Stephane Bourgoin në shtëpinë e tij në perëndim të Francës, prill 2020.

Një hetim mbi shkrimtarin francez, Stephane Bourgoin, librat e të cilit për vrasësit serialë janë shitur në miliona kopje në Francë, e kanë nxjerrë si gënjeshtar patologjik specialistin e më shumë se 70 vrasësve famëkeq.

Ai kishte ngjallur kureshtjen e të gjithëve – pastaj një grup anonim në mediat sociale filloi të hetonte mbi të kaluarën e tij.

Një ditë, në fillim të viteve ‘90, Stephane Bourgoin – në atë kohë ishte vetëm një autor dhe librashitës – filloi të angazhohej për çështjen e vrasjeve serike.

Vrasjet misterioze ishte një ngjarje e njohur në mbarë botën, dhe më konkretisht francezët ishin njohur me idenë e vrasësve serikë qysh në shekullin e 15-të, kur fisniku Gilles de Rais u zbulua se kishte rrëmbyer, torturuar dhe vrarë ritualisht rreth 150 fëmijë të vegjël.

Por këta persona nuk ishin kuptuar si “vrasës serialë”.

Togfjalëshi “vrasës serialë”

Kjo frazë do të hynte në vitet 1970.

Bourgoin, përpara se të hapte librarinë, kishte qenë asistent në xhirimet e filmave pornografikë me metrazh të shkurtër. Kishte diçka të paqartë rreth tij.

Ai ishte i dashuruar pas kinemasë dhe muret e banesës së tij ishin të veshura me një koleksion të madh kasetash VHS, midis të cilave u gjend edhe një seri etiketimesh me dorë të lajmeve të regjistruara, që tregonin të gjitha llojet e aksidenteve dhe fatkeqësive natyrore.

Po ashtu ai kishte një koleksion të fotografive me pamje të kufomave në gjendje të ndryshme gjymtimi, të cilat i pëlqente t’i tregonte përreth.

Në fillim të viteve 1970, Bourgoin u shpreh se u transferua në Shtetet e Bashkuara. Pas gjashtë viteve, ai deklaroi të dashurën e tij e kishte vrarë, përdhunuar dhe gjymtuar një vrasës serial.

Sipas shkrimtarit, ai qarkullonte në atë kohë në Los Anxhelos.

I nxitur nga kjo ndodhi, Bourgoin deklaroi se filloi të mendonte për të kuptuar duccka më shumë, rreth asaj që mendon një vrasës serial.

Eksperti më i mirë i vrasësve serialë në botë

Bisedimet dhe konferencat e tij u shitën në të gjithë Francën: në nënshkrimet e librave, fansat qëndronin në radhë për orë të tëra.

Ai ishte bërë një personazh i famshëm, “eksperti më i mirë i vrasësve serialë në botë”, sipas vlerësimit të një drejtuesi televiziv francez.

Po ashtu, ishte një fiksues i emisioneve të bisedave të mbrëmjes dhe në radio: pas vrasjeve, sulmeve dhe krimeve të tjera të dhunshme, gazetat e ftuan për të shpjeguar motivet e fajtorit.

Stephane Bourgoin

Monomania e tij për vrasjet serike nuk plotësonte përkufizimin e të gjithëve për një shije të mirë.

Që nga fillimi i karrierës së tij, Bourgoin-it shpesh iu kërkua të shpjegonte fiksimin e tij. Vazhdimisht ritregonte historinë e të dashurës së tij.

Bourgoin ishte përgjithësisht i njohur për të qenë miqësor dhe i arritshëm. Ai i trajtoi disa nga admiruesit e tij me një përbuzje që nuk është e pazakontë në sferën e fansave të çuditshëm.

Dukej se donte ta bënte të qartë se fiksimi i tyre me vrasjet serike, ndryshe nga ai i tij, ishte joautentik, i tejmbushur dhe i paligjshëm. Në thelb, ishte fansi i vërtetë.

Në një ribotim të “Serial Killers” (Vrasësit Serialë), ai u ankua për “infaturimin” e botës me vrasësit serialë.

“Kam humbur numërimin e të çmendurve – në shumicën dërrmuese të tyre, femra të reja – që më telefonojnë ose më shkruajnë”, shkroi Bourgoin “me kërkesa të tmerrshme”.

Charles, i cili punon për ushtrinë franceze dhe ka kërkuar të mbetet anonim, nuk e mendon veten si një adhurues të vrasjeve në seri, ose të paktën jo një obsesion.

“Ndonjëherë, në grupet në internet, shoh gjëra që janë tronditëse”, tha ai. “Kur thonë ‘vrasësi im i preferuar serial është Richard Ramirez’ – si mund të thoni se keni një vrasës serial të preferuar?”.

Interesi, në psikologjinë e vrasjeve serike

Në 30 vitet e studimit, ai rrëfeu se nuk e kishte fare kuptim, por vazhdon t’i shqyrtojë pikat më delikate të vrasjeve të ndryshme në kërkim të një lloj epifanie.

Rreth 10 vjet më parë, i zhytur në këto detaje, Charles filloi të vinte re ato që mendonte se nuk kishin përputhje me disa nga prononcimet e Bourgoin.

Bourgoin fliste për takimin me 77 vrasës, por Charles mundi të gjente video-regjistrime vetëm të intervistave me Kemper, Schaefer, Toole dhe katër ose pesë të tjerë.

Gjuha te disa prej librave të Bourgoin-it e bëri atë dukshëm të ngjashme me veprat e shkrimtarëve të tjerë të panjohur në gjuhën angleze.

Por shumë figura të medias “vetëlavdërohen”, arsyetoi ai.

Disa të tjerë luajnë pak me faktet dhe plagjiatura nuk është – për shumë francezë – një vepër veçanërisht shqetësuese.

Charles, i zhgënjyer

Në vitin 2019, ai po shfletonte një nga grupet e ndryshme të Facebook-ut të lidhura me vrasjet dhe erdhi në një postim për Bourgoin.

Ishte një lidhje me një intervistë të fundit televizive, në të cilën Bourgoin tregoi episodet e zakonshme: “300 orët” e tij me Kemperin, vrasja e Eileen.

Për habinë e Charles, komentet skeptike filluan të shfaqen poshtë postimit dhe administratori i faqes së shpejti krijoi një grup të ri për të diskutuar dyshimet që ishin ngritur.

Stephane Bourgoin
Dyshuesit

Të gjithë kishin dyshimet e tyre.

Një anëtare, punonjëse e librarisë në moshë të mesme e quajtur Anne-Sophie Bec, ishte e shqetësuar nga sjellja e Bourgoin, pasi në historitë e tij detajet ndryshonin vazhdimisht.

Me kalimin e viteve, një grup entuziastësish në platformën sociale Facebook zbuluan se Bourgoin e kishte përshkruar në mënyra të ndryshme gruan e tij, një herë si shoqëruese, pastaj të fejuar ose grua, por ishte më konsistent në përshkrimin e vrasjes së saj.

Kishte ndodhur në Los Anxhelos, në vitin 1976: fajtori, i cili kishte vrarë gjithashtu një duzinë gra të tjera, u kap në Kaliforni në vitin 1978.

Në vitin 2019, Bourgoin i tha një intervistuesi se vrasësi ishte ende në pritje të ekzekutimit.

Departamenti i Korrigjimeve dhe Rehabilitimit në Kaliforni mban një listë publike të qindra të burgosurve të dënuar me vdekje, siç bën edhe Los Angeles Times.

Asnjë nga këta të burgosur nuk kishte vrarë një grua në rrethanat që përshkroi Bourgoin.

Grupi provoi një qasje tjetër.

Në një paraqitje televizive, Bourgoin kishte treguar një herë një fotografi të vjetër të tij dhe Eileen, një grua e re bionde, tërheqëse, me një hundë të kthyer dhe dhëmbë të përparmë dukshëm katrorë.

Grupi filloi të kërkonte ndonjë viktimë të vrasësve serialë të njohur të Kalifornisë, që i ngjante asaj. Edhe një herë, ata nuk gjetën njeri.

Ata zgjeruan fushën e hetimit të tyre dhe kërkuan ndihmën e disa prej vrasësve më famëkeq të Amerikës.

Në vjeshtën e vitit 2019, grupi në Facebook, filloi të kontaktonte me mediat dhe prezantuesit francezë.

“Ata nuk na morën seriozisht”, kujtoi Charles.

Tifozët e Bourgoin dërguan ofendime dhe herë pas here kërcënime për veprime ligjore.

Disa dukej se kishin përshtypjen se heroi i tyre thjesht kishte bërë plagjiaturë një pasazh aty-këtu, gjë që dukej e falshme.

Pas një periudhe pothuajse heshtjeje, në shkurt 2020, Bourgoin njoftoi në Facebook se, për t’iu përkushtuar “projektit më të rëndësishëm të jetës sime”, ai do të mbyllte faqen e tij. (Ai nuk ofroi detaje rreth këtij projekti.) “Për më tepër”, ai kishte qenë për disa javë viktimë e një “fushate të ngacmimit kibernetik dhe urrejtjes”, shkroi ai.

Që nga ajo kohë, gazetarja Emilie Lanez, nga revista javore “Paris Match”, kontaktoi Bourgoin për të kërkuar një intervistë rreth polemikave. Ajo kishte botuar disa libra dhe i vuri në dukje Bourgoin se kishin një botues.

Ai pranoi se ‘Eileen’ ishte një zbukurim i një historie disi më pak simpatike.

Ndërsa jetonte në SHBA në vitet 1970 si një beqar i ri, Bourgoin kishte qenë një vizitor i rregullt në Daytona Beach, një qytet turistik në bregun e Floridës.

Në një vizitë, ai takoi një banakier dhe kozmetologe aspiruese të quajtur Susan Bickrest, e cila, dukej se fitonte pak para shtesë si punonjëse me pagesë.

Ai kishte qenë me të disa herë deri në dhjetor 1975, kur u kthye në plazhin e Daytona, pas një mungese, për të mësuar se ajo ishte vrarë.

“Fillova të lexoja, bëra disa kërkime, u bë pasion”, tha ai.

Disa vite më vonë, në vitin 1979, ai u autorizua të intervistonte vrasësin e tij të parë, Richard Chase, një skizofrenik paranojak, i cili piu gjakun e disa prej viktimave të tij.

‘Eileen’ është vetëm një histori e sajuar plotësisht, nga fillimi në fund.

Historia e origjinës tragjike të Bourgoin nuk dukej se ishte dramatizimi i një përvoje aktuale, sado banale, por imagjinare e pastër: një fantazi djaloshare e tmerrit amerikan.

Si përfundim fantazia ishte dashuria e parë e madhe e Bourgoin. Që herët, ai gjeti kinemanë e zhanrit dhe iu përkushtua kategorisë që francezët e quajnë fantastike, që përfshin fantashkencën, horrorin dhe gjithçka të çuditshme.

Gënjeshtra patologjike, prej kohësh, ka qenë një objekt i hetimit psikiatrik. Në literaturë, ajo njihet si pseudologia fantastica.

Një përkufizim i përmendur zakonisht, nga fillimi i shekullit XX, e përshkruan atë si “falsifikim krejtësisht joproporcional me çdo qëllim të dukshëm”.

Psikoanalistja Helene Deutsch i përshkroi gënjeshtrat patologjike si “ëndrrat e ditës të komunikuara si realitet”.

Gënjeshtari patologjik, ose “pseudologu”, nuk është një mashtrues, në kuptimin që, pavarësisht nga pasojat e gënjeshtrave të tij, qëllimi i tij nuk është keqdashje. Gënjeshtra është qëllim në vetvete.

Studiuesit nuk janë dakord nëse pseudologu mund të thuhet se është përgjegjës për pretendimet e tij fantastike.

Megjithatë, më e rëndësishmja është se ai nuk është deluziv. Kur përballet me shpikjet e tij, gënjeshtari patologjik është në gjendje të perceptojë, nëse jo domosdoshmërisht të pranojë, falsitetin e tyre.

Ai e di se po gënjen, edhe pse në shumicën e rasteve duket se është në gjendje ta heqë plotësisht këtë njohuri.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore