Lajme

Ekspertët e OKB-së apelojnë për një hetim ndërkombëtar dy vite pas shpërthimit në portin e Bejrutit


Ekspertë të pavarur nga OKB-ja, dy vite pas shpërthimit masiv në portin e Bejrutit, i kanë drejtuar thirrje komunitetit ndërkombëtar të nisi hetimin “pa vonesë”.

“Kjo tragjedi ishte një nga shpërthimet më të mëdha jo-bërthamore në historinë e kohëve të fundit, megjithatë bota nuk ka bërë asgjë për të kuptuar pse ndodhi”.

Kështu kanë deklaruar gjashtë ekspertët që janë të mandatuar nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, por që nuk flasin në emër të OKB-së.

“Në këtë përvjetor të dytë të shpërthimit, ne jemi të lënduar kur shohim se populli i Libanit është ende në pritje të vendosjes së drejtësisë dhe ne bëjmë thirrje që një hetim ndërkombëtar të hapet pa vonesë”, kanë kërkuar ata.

Shpërthimi i 4 gushtit 2020 në portin e Bejrutit vrau më shumë se 220 njerëz dhe plagosi 6 mijë e 500 të tjerë. Po ashtu shkatërroi mijëra ndërtesa.

Menjëherë pas ngjarjes, 37 ekspertë të OKB-së për të drejtat e njeriut lëshuan një deklaratë të përbashkët duke i bërë thirrje qeverisë libaneze dhe komunitetit ndërkombëtar që t’i përgjigjen në mënyrë efektive nevojës për drejtësi.

Mirëpo, familjarët e viktimave nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga drejtuesit e tyre për praninë e tonelatave nitrat amoniumi të ruajtura pa masë në origjinën e shpërthimit.

Sakaq, hetimet duket se kanë ngecur që nga fundi i vitit 2021, për shkak të pengesave politike dhe asnjë zyrtar i vetëm nuk është gjykuar.

“Familjarët e viktimave i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ngrejë një hetim të pavarur nën kujdesin e Këshillit të të Drejtave të Njeriut”, kanë treguar ekspertët e OKB-së.

Ata i bëjnë thirrje Këshillit të të Drejtave të Njeriut të marrë përsipër çështjen, duke besuar se shpërthimi zbuloi “probleme sistemike të qeverisjes neglizhente dhe korrupsionit të përgjithësuar”.

Ky këshill, me seli në Gjenevë, përbëhet nga 47 shtete anëtare që takohen rregullisht në sesione. Sesioni i radhës do të zhvillohet nga 13 shtatori deri më 7 tetor.

Gjatë sesioneve, vendet mund të vendosin të komisionojnë ekspertë për të hetuar situatat që kanë ndikim në të drejtat e njeriut.

Marrë nga “L’Orient-Le Jour”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore