Lajme

Ekspertët e mjedisit kritikojnë planin e Suedisë për të ndërtuar 10 reaktorë të rinj bërthamorë


Ekspertët e mjedisit kanë kritikuar planin e qeverisë suedeze për të ndërtuar të paktën 10 reaktorë bërthamorë në 20 vitet e ardhshme.

Një shifër kjo, që shënon më shumë se dyfishin e numrit aktual të tyre.

Sipas tyre, ky plan do të jetë shumë i shtrenjtë dhe do të vijë shumë vonë për të përmbushur nevojat për energji.

Ministrja e klimës, Romina Pourmokhtari, ka njoftuar se për të përmbushur objektivat e saj klimatike, Suedia duhet të dyfishojë prodhimin e energjisë elektrike në dy dekadat e ardhshme.

Plani për 10 reaktorë të rinj do të shënonte një ndryshim dramatik nga kapaciteti aktual i vendit për energjinë bërthamore, me gjashtë reaktorë në funksionim në Forsmark, Oskarshamn dhe Ringhals që përbëjnë rreth 30 për qind të prodhimit të tij të energjisë elektrike.

Lars J Nilsson, një profesor në Universitetin e Lundit dhe një anëtar i bordit këshillues evropian për klimën, e kundërshton pretendimin e qeverisë se reaktorët e rinj janë të nevojshëm dhe e ka hedhur poshtë masën si “simbolike”.

“Nuk mund të thuash me siguri se na duhen 10 reaktorë të rinj. Tani për tani, zgjerimi i prodhimit të energjisë elektrike në Suedi është përmes energjisë së erës”, ka thënë ai.

“Nuk pres ndonjë fuqi të re bërthamore në Suedi, përveç nëse qeveria ofron garanci mjaft të gjera të ngjashme me ato që keni në Hinkley Point në Mbretëri të Bashkuar”.

Sipas tij, masa ka të bëjë më shumë qëndrimin sesa veprimin, duke pretenduar se qeveria ka dashur të tregojë se po ndërmerr veprime për përmbushjen e qëllimeve të saj klimatike.

“Unë e shoh atë më shumë si simbolike sesa krijimin e ndonjë ndryshimi të vërtetë”.

Nëse do të ndërtohen reaktorët, kostot do të bien shumë mbi taksapaguesit suedezë, sipas Nilsson.

Reputacioni i Suedisë si një lider i gjelbër në skenën globale po ndryshon.

“Suedia do ta humbasë pjesërisht këtë profil. Tani vrulli dhe progresiviteti po vjen nga BE-ja dhe Brukseli”, ka thënë ai.

Plani i BE-së Fit for 55 u kërkon ligjërisht shteteve anëtare të reduktojnë emetimet me të paktën 55 për qind deri në vitin 2030 dhe të bëhen neutrale deri në vitin 2050.

Të moderuarit e Suedisë ranë dakord kur formuan një qeveri koalicioni me Kristian Demokratët, Liberalët dhe Demokratët Suedez të ekstremit të djathtë se do të lejoheshin më shumë reaktorë dhe se investimet në energjinë bërthamore do të bëheshin fitimprurëse përmes garancive të kredisë dhe ndryshimeve në çmim.

Kjo javë ishte hera e parë që qeveria kishte dhënë një numër të parashikuar të reaktorëve të rinj.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore