Lajme

Ekonomia e SHBA-ve, vendimtare për votën e qytetarëve


Amerikanët do të votojnë këtë javë në zgjedhjet për ligjvënësit e Kongresit të SHBA-ve.

Çështja kryesore shqetësuese për ata është ekonomia.

Sipas një sondazhi të zhvilluar nga mesi i tetorit nga Qendra Kërkimore “Pew”, inflacioni ishte shqetësimi mbizotërues ekonomik për amerikanët.

Pothuajse 75% e të anketuarve ishin të shqetësuar për çmimet e ushqimeve dhe mallrave të konsumit, të ndjekura nga afër nga benzina dhe energjia, si edhe kostoja e banesave.

Raporti i Pew, zbuloi se këto shqetësime ndaheshin gjerësisht në grupet demografike dhe kategoritë e të ardhurave.

Ndërsa sondazhi gjeti një prirje të lehtë partiake në përgjigje, ende një shumicë e konsiderueshme e demokratëve (66%) dhe republikanëve (81%) thanë se ishin shumë të shqetësuar për inflacionin.

Pavarësisht numrit rekord të vendeve të punës dhe disa arsyeve për inflacion jashtë kontrollit të demokratëve, ata kanë ngecur në mesazhet e tyre mbi ekonominë.

Ndërsa republikanët e kanë goditur vazhdimisht, Presidencën amerikane, të drejtuar aktualisht nga Joe Biden.

Ohio, dikur ishte një shtet i lëkundur, por vitet e fundit ka lëvizur më shumë djathtas, për nga kampi republikan.

Vendi votoi ish-presidentin, Donald Trump, në vitin 2016, pjesërisht për shkak të premtimit të tij për të rikthyer vendet e punës dhe prodhim “made in USA” (prodhuar në SHBA).

Inflacioni vetëm sa po shton vështirësitë për demokratët në nivel kombëtar.

Jerome Phillips, 59 vjeç, votoi për Presidentin Joe Biden dhe demokratët në vitin 2020.

Ai nuk e di se për kë do të votojë kësaj radhe.

Jerome, fajëson ish-presidentin Donald Trump për “ekonominë e tmerrshme”, por nga ana tjetër thotë se Biden ka qenë “një zhgënjim total”.

“Ai nuk ka bërë asgjë në detyrë për të ndihmuar ekonominë, asgjë fare”, tha qytetari amerikan, për median shtetërore britanike BBC.

Në një ngjarje të kohëve të fundit të Komitetit Kombëtar Demokratik, Biden, paralajmëroi se republikanët do të shkaktonin kaos në ekonominë e SHBA-së dhe se ata “do t’i riktheheshin planit të Trump me moto ‘Make America Great Again’, e cila është në benefit vetëm të të pasurve”.

Demokratët kanë mbrojtur Bidenin, duke vënë në dukje faktin se inflacioni është një fenomen global.

Ekonomia e Shteteve të Bashkuara shtoi 261 mijë vende pune në tetor, duke e çuar totalin e vendeve të reja të punës që kur Presidenti Biden mori detyrën në mbi 10 milionë.

Mike Lux, një strateg demokrat, i cili ka hulumtuar tendencat e votimit në qendër industriale të Amerikës, thotë se demokratët duhet të kishin bërë më shumë, më herët.

Ndërsa ai besonte se kandidatët si Tim Ryan në Ohio dhe John Fetterman në Pennsylvania, bënë një punë të mirë duke shpjeguar se si do të trajtonin inflacionin dhe do të luftonin për njerëzit që punojnë.

Ndërkohë rritja aktuale e çmimeve të gazit, ka ardhur si pasojë e luftës në Ukrainë.

Republikanët kanë fajësuar politikat demokratike dhe janë zotuar të fillojnë shpimet për naftë dhe tubacionet, për ta bërë Amerikën të pavarur energjetikisht.

Lux, tha se demokratët duhet të kishin folur për inflacionin dhe ekonominë dhe të zotëronin narrativën pikërisht sepse është një çështje e vështirë, që dominon peizazhin politik.

“Unë mendoj se shmangia e çështjes është gjëja më e keqe që demokratët mund të bëjnë,” vijoi më tej ai.

Sipas një analize nga Wesleyan Media Project, mesazhet mbi inflacionin janë ende shumë më dominuese në reklamat politike republikane.

Gunner Ramer, drejtor politik i grupit republikan anti-Trump, projekti i Përgjegjshmërisë Republikane, tha se këta të fundit kanë shpenzuar dhjetëra miliona dollarë, duke goditur demokratët në ekonomi dhe inflacion dhe kanë zbuluar se ky është një mesazh shumë efektiv.

Problemi për demokratët, shpjegoi Ramer, është se si me çdo parti në pushtet, faji do të binte mbi ta për çdo problem ekonomik me të cilin po përballeshin votuesit.

Kjo pavarësisht se sa shumë ata kanë sukses. “Çështjet e tryezës së kuzhinës ende kanë rëndësi dhe demokratët do të ndëshkohen për këtë”, përsiati ai.

Ndërkohë, familjet me të ardhura të ulëta vazhdojnë të goditen më rëndë nga inflacioni.

Ky fenomen dhe ekonomia, mund të jenë ato që do të thyejnë shpresat e demokratëve këtë nëntor.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore