Gjykata Speciale

Edhe dy seanca të tjera anulohen në çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës


Pjetër Shala.

Edhe dy seanca tjera janë anuluar në çështjen gjyqësore ndaj Pjetër Shalës.

Lajmi është bërë i ditur në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK),

Seancat të cilat janë anuluar në këtë çështje gjyqësore janë ato, të cilat ishin planifikuara të mbaheshin më 19 dhe 22 janar 2024.

Në muajin janar janë anuluar edhe seancat e 11 dhe 12 janarit.

Deri më tani janë dëgjuar disa dëshmitarë si dhe ka mbaruar dëshminë dëshmitari i 10-të i mbrojtjes, Safet Gashi.

Gashi, në deklaratën e tij ka thënë se “ka dallime e pranoj”, duke u arsyetuar me harresën.

“Dallimi mund të harrohet ashtu sikurse njeriu që harron. Kam qenë në shtator të 2019 dhe kam menduar që kam qenë në 2019 në prill, e keni vërejtur vetë gabimin që e kemi bërë se e kam harruar, harron personi”.

“5 vjet kanë kaluar. Po më flisni për disa fjalë që kanë ndodhur para 25 vitesh, zonja prokurore, kam harruar”, tha dëshmitari Gashi.

Para kësaj deklarate, kryetarja e trupit gjykues Mappie Veldt-Foglia, ia tërhoqi vërejtjen Gashit lidhur me kontradiktat në mes deklaratave të tij.

“Ju lutem përpiquni që të përgjigjeni në mënyrë sa më të saktë që të keni mundësi, në mënyrë që të shmangen keqkuptime të ndryshme, a e kuptoni këtë? Pesha e vlerësimit të dëshmisë tënde bëhet më vonë, por ju inkurajoj që të thoni të vërtetën sepse këtu jemi për të gjetur të vërtetën, për të gjetur faktet”.

“Nëse nuk jeni i saktë në përgjigjet tuaja, kjo punë bëhet për ne e vështirë”, tha Veldt-Foglia.

Sipas saj, mospërputhja në mes deklaratave të tij, ngrit pikëpyetje për t’u gjetur e vërteta.

“Ju u ballafaquat me disa mospërputhje të mundshme në mes asaj që ke thënë në deklaratat e dhënë ZPS-së dhe asaj që po deklaron në gjykatë dhe ne do ta vlerësojmë këtë më vonë, por kjo ngrit disa pikëpyetje të rënda dhe serioze për faktin se ku është e vërteta. Thjesht desha t’ua kujtoj këtë”, tha Mappie Veldt-Foglia.

Pas mbarimit të kësaj pjese të pyetjeve, me kërkesë të prokurores Gaia Pergolo, seanca kaloi në sesion privat për të vazhduar me pyetje të tjera për dëshmitarin.

Safet Gashi ka nisur dëshminë e tij të martën (9 janar 2024), ku është marrë në pyetje fillimisht nga mbrojtja e Pjetër Shalës.

Gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore