Përballje

E shtuna në La Liga, Barcelona viziton “makthin” andaluzian


Levante – Athletic Bilbao ishte ndeshja që hapi javën e 25-të në La Liga, e cila u mbyll në barazim 1-1.

Sot, të shtunën e fundit për muajin shkurt, do të luhen edhe katër ndeshje të tjera.

Ndeshja hapet me duelin direkt për mbijetesë, mes Eibar-it dhe Huesca-s.

Nga të gjithë kampionatet evropiane, La Liga ka luftën më të ashpër për mbijetesë, me shtatë skuadra që diferencohen me vetëm pesë pikë nga njëra-tjetra.

Huesca mund të ngjitet automatikisht në vendin e 16-të me një fitore sot, duke e ulur në vendin e fundit Eibar-in që aktualisht ndodhet e 17-ta.

Ndeshjet e tjera po ashtu janë vendimtare për mbijetesën, mes Alaves dhe Osasuna, ora 18:30, dhe Getafe – Valencia ora 21:00.

Ndeshja kryesore e ditës luhet në “Sanchez Pizjuan”, mes Sevilla-s së vendit të katërt dhe Barcelona-s së vendit të tretë.

Me një fitore, Sevilla e ul skuadrën e Koeman-it në vendin e katërt, duke e lënë një pikë prapa me një ndeshje më pak për të zhvilluar.

Ndërkohë, një fitore e Barcelona-s do e ngjiste përkohësisht mbi Real Madrid-in.

Sevilla ka dalë e pamposhtur nga duelet me Barcelona-n në tre takimet e fundit, duke barazuar dy dhe fituar një.

Ndeshja e fundit në Kupën e Mbretit, pikërisht në “Pizjuan” përfundoi me fitore të Sevilla-s, 2-0.

Pas ndeshjes së sotme, Barcelona dhe Sevilla do përballen edhe të mërkurën, në kuadër të ndeshjes së kthimit në Kupën e Mbretit.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore