Lajme

“E shtuna ditë dështimi, nuk ishte ditë mësimi”, Bajrami kritikon Nagavcin


Hykmete Bajrami

Deputetja nga radhët e Lidhjed Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ministren e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavcin, pasi që të shtunën nuk u kompensuan orët e humbura gjatë grevës në arsim.

“E shtuna ditë dështimi, nuk ishte ditë mësimi”, shkroi Bajrami në Facebook dhe shtoi se “nxënësit nuk përfillën urdhrin e ministres Nagavci”.

Sipas saj, dështimi erdhi pasi që “partia në pushtet, Qeveria dhe ministrja Nagavci po i konsiderojnë fëmijët, SBASHK-un (Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës) e prindërit sikur të ishin opozita e këtij vendi”.

Bajrami e cila shërbeu si ministre e Arsimit gjatë vitit 2020 bëri thirrje që Qeveria të gjejë një zgjidhje.

“Ulu dialogo me SBASHK-un, me prindërit dhe me të gjithë derisa të pajtoheni për kompensim të orëve, sepse qasja juaj vetëm dështim po na sjellë asgjë tjetër”, përfundoi ajo.

Ndryshe, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se në 70 për qind të institucioneve të arsimit fillor dhe të mesëm nuk është mbajtur mësimi këtë të shtune.

Greva në Arsim

“Kjo është vlerësuar në takimin e jashtëzakonshëm që SBASHK-u ka mbajtur me kryetarët e nivelit komunal sindikal të cilët kanë raportuar lidhur me gjendjen e sotme në komunat e tyre”, thuhet në komunikatë.

Sipas tyre, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë duhet të mbajë takim urgjent me përfaqësues të Asociacionit të Komunave, të Këshillit të Prindërve dhe të SBASHK-ut për të arritur marrëveshje për çështjen orëve të humbura në grevë.

Nga 25 gushti deri më 1 tetor, mësimdhënësit ishin në grevë duke kërkuar shtesa nga 100 euro në muaj deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

Greva u pezullua pa marrëveshje me Qeverinë.

Ministrja vendosi për zëvendësim të orëve duke ndryshuar kalendarin shkollor.

Megjithatë, me të s’u pajtuan as nga SBAShK-u, as prindërit e as komunat.

Ata po refuzojnë që mësimi të zëvendësohet të shtunave, duke rekomanduar të gjenden zgjidhje tjera.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore