Sport

E shkuara përballë të tashmes, Shevchenko sfidon klubin me të cilin fitoi ‘Topin e Artë’


Ish-sulmuesi dhe një nga legjendat e Milan-it, Andriy Shevchenko, do të përballet për herë të parë me kuqezinjtë, si trajner tashmë. Për të gjithë tifozët e Milan-it, ukrainasi është idhull.

Fituesi i “Topit të Artë 2004” me kuqezinjtë, drejton skuadrën e Genoa-s në Serie A. Milan-i do të përballet këtë të mërkurë me Genoa-n dhe Sheva-n për llogari të javës së 15 të kampionatit.

45-vjeçari kaloi një epokë të artë me kuqeiznjtë që nisi nga viti 1999 dhe përfundoi në 2009.

Momenti që nuk do të harrohet kurrë prej milanistëve është padiskutim ajo penallti e shënuar përballë rivalëve të Juventus-it në “Old Trafford” në finalen e Champions League 2003. Penallti e cila i dha titullin e gjashtë kampion Milan-it në këtë kompeticion.

Në total, u aktivizua në 322 ndeshje. Ukrainasi arriti të shënonte 175 gola dhe dhuroi 49 asiste. Vetëm suedezi, Gunnar Nordahl, ka shënuar më shumë gola për kuqezinjtë se Shevchenko, 214.

Champions League, Serie A, Kupa dhe Superkupa e Italisë, si dhe Superkupa e Evropës janë pesë trofetë e fituar nga Shevchenko gjatë periudhës që luajti në “San Siro”.

Në sezonin aktual, Milan-i është në rrugë të mbarë për t’u rikthyer te titulli kampion në Serie A, pas gati 10 viteve. Por, përpara do të ketë një përballje jo të lehtë në “Luigi Ferraris”.

Shevchenko-s i duhet fitorja e parë në krye të stolit të skuadrës më të vjetër në Serie A. Në dy ndeshjet e mëparshme, ai numëron një fitore dhe një barazim.

Gjithashtu, kuqeblutë në dy ndeshjet që janë drejtuar nga ukrainasi nuk kanë gjetur rrugën e rrjetës.

Tekniku 45-vjeçar ka folur në konferencën para ndeshjes, duke thënë se “Do të jem i emocionuar, por do të përpiqem të mbaj nën kontroll ndjenjat e mia, është pjesë e jetës të përballesh me këto sfida”.

“U kam premtuar tifozëve kuqezinjë se do të bejë tifo për Milan-in 100 për qind, por jo kundër Genoa-s”, vijoi të thoshte Sheva.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore