Shqipëria

E rrëfeu koha humorin


Është këtu pranë. Tendosur në dilema, po përpiqet të zbërthejë ardhje-vajtjet e kohës.

I ulur në karrigen e mendimeve, krejt vetëm, por aspak i vetmuar, vëzhgon. Kurrgjë nuk po e kalon pa e vënë re.

E tregojnë sytë që po rrëfejnë. E tregojnë hutimet e atypëratyshme.

Është këtu, ai, aktori.

Zhytur në hapësirën pambarim të gjendjeve të shoqërisë, të asaj që është lënë e tjetrës që vjen pas, reflekton.

Sforcohet nëpër pyetje. Sepse humori i këtyre ditëve i flet ndryshe nga më parë. Epo ekrani…

Ekrani bën të vetën. Kënaq dëshirat e spektatorit shtëpiak, teksa plotëson edhe nevojat e tregut. Por, aktorit i rëndon kjo.

Kështu, ja nis përsëri reflektimit.

E rrëfeu koha humorin

Aktori Franc Bregu ka shkuar në zanafillë të fenomenit. Duke parë nga e kaluara “e mbyllur” e më pas, dalëngadalë, duke u dhënë fjalëve peshën e së tanishmes, një tregu ku dukshmëria nuk të lë radhë. E, për rrjedhojë, as humorin s’e ka lënë pa lëvizur.

Ai ka rrëfyer për Albanian Post se humori ka qenë dhe vazhdon të ngelet një nga disiplinat më të njohura e të zhvilluara të artit skenik në Shqipëri. Madje, qysh me krijimin e estradave të njohura profesioniste nëpër qytetet kryesore, kjo formë e artit, teatrit, ka qenë gjithnjë në rritje dhe në ndryshim.

Duke mos dashur të përcaktojë se ç’vend zë humori si kategori, si zhanër mes disiplinave të tjera e as për të kërkuar shkaqet socio-psikologjike të zhvillimit të tij (nevoja për të pasur programe argëtuese pas frustrimit të regjimit komunist), Bregu është ndalur më shumë te humori që prodhohet sot, te mënyrat e të bërit humor sot, të cilat “pa dyshim janë të pazgjidhshme nga rrjedhat e zhvillimeve shoqërore e historike”.

“Humori pësoi një zhvendosje të kuptueshme, nga skenat e teatrit (mënyra klasike e të ndërtuarit dhe vënies në skenë të komedive, organizimeve varietè nga trupat e estradave), tek ekrani i televizionit. E gjithë kjo zhvendosje përkthehet me zhvillimin e disa programeve të humorit”, tregon Bregu.

Kjo, duke nisur nga spektakli i njohur i lëvruar në botë, ai cabaret, e deri te programet me natyrë satirike, groteske (programe me natyrë të humorit politik). “Rrjedhimisht, edhe mënyra e konceptimit dhe e krijimit të humorit, ka ndryshuar”, sqaron ai.

“Show-t komikë, pra cabaret-ë e famshme, pasqyrojnë përgjithësisht fenomene bashkëkohore, tipologji karakteresh që i has çdo ditë, fshikullime të dukurive të kohës sonë, e kjo e bën më të afërt për publikun, rrjedhimisht edhe më të pëlqyerin”, thotë Bregu.

Aktori thotë se, në ditët e sotme, humori mund të bëhet kudo. Në TV, në gazetë e sidomos në rrjetet sociale. Dhe se kjo në vetvete është një nga “dramat” e vërteta të vet humorit, thënë metaforikisht prej tij. Në njëfarë mënyre, një treg të humorit…

“Sepse duke pasur lirinë e shprehjes dhe mundësinë e derdhjes së kësaj lirie kudo, edhe rreziku është tejet i madh. Cilësia dobësohet, krijohen standarde të tjera vlerësimi për atë që duhet dhe nuk duhet të qëndrojë në të famshmin treg”, ravijëzon Bregu.

Aktori e përmbyll idenë e tij, duke thënë se humori, i konceptuar me zgjuarsi, inteligjencë, finesë, duhet të qëndrojë gjithnjë në transmetimin e mesazheve të mëdha të përditshmërisë dhe jetës. E duket se sot, ai që rëndom quhet humor “banal” (që, në fakt, nuk ka të bëjë shumë me formën, sesa me përmbajtjen e dobët të cilësisë), qëndron mbi atë që, në fakt, duhet të ishte “humori i shëndetshëm”.

Në rrjedhat e aktuales

Regjisorja e teatrit, Elma Doresi, ka rrëfyer për Albanian Post se për të humori është zhanër shumë i vështirë.

Ajo shkon edhe më tej, duke vazhduar se “nuk do të gaboja nëse do të thosha se është edhe më i vështirë se drama”.

Dorësi tregon se vlera e humorit është e pashlyeshme pasi nëpërmjet tij thuhen problematika, dhe trajtohen tematike aktuale nga më të ndryshmet.

“Dikur ka qenë Estrada e Tiranës, në të cilën ne u rritëm si spektatorë. Por, koha evoluon dhe bashkë me të edhe format e vendet. Tanimë, humorin e shohim të instaluar nëpër emisione e spektakle humori në televizione”, tregon regjisorja.

Sipas saj, as komedia në teatër nuk ka munguar dhe se “nuk do të mungojë”. Me rëndësi është që, nëpërmjet një skenari, një regjie, një kostumografie, të fliten shqetësimet e shoqërisë, pavarësisht nëse është humor apo komedi.

“Në rast se nuk ka një temë aktuale apo një shqetësim aktual, nuk do ta merrja aspak në konsideratë. Kjo sepse, në fund, do të thuhej: “Dakord, qeshëm, por çfarë u tha? Kujt i foli? E të tjera pyetje si këto”, thotë Doresi.

Prandaj dhe regjisorja mendon se në një formë apo në një tjetër, humori nuk mungon në ditët e sotme.

Për të është çështje zgjedhjeje. Dikush përzgjedh të shkojë në teatër e një tjetër e ndjek një spektakël humori nëpërmjet televizorit. Madje, kjo është “e drejta dhe liria e tij”.

Dhe për Doresin, si humori, ashtu edhe komedia e kohëve tona, u flasin të gjitha shtresave të shoqërisë.

Gudulisje goditëse

Ndërkohë Alba Shtembari, aktore humori, është e mendimit se humori e ka kaluar testin e të qenit i pëlqyer dhe i pranuar në shoqërinë tonë. Mbase edhe më shumë se kaq.

“Në vendin tonë është provuar që humori apo komedia funksionon më së miri. Ndoshta edhe më mirë se format e tjera të gjinisë dramatike”, thotë aktorja për Albanian Post.

Dhe arsyeja e kësaj lidhet me “problemet e shumta social-ekonomike, çka bëjnë që kjo formë të jetë një pikë çlodhëse për spektatorin”.

Shtembari tregon se, përveç kësaj “akoma më e rëndësishme është që këto probleme të goditen dhe pikërisht këtë bën një spektakël humori, mban një qëndrim të caktuar përkundrejt një ngjarjeje apo fenomeni”.

Mirëpo, aktorja e humorit nuk lë pas as provën që kanë dhënë rrjetet sociale, duke thënë se ato “dëshmojnë dashurinë dhe nevojën që kemi për humor, pasi aty prodhohen batuta përkundrejt këtyre ngjarjeve të ndryshme, të cilat shfaqen në formën e meme-ve”.

Ajo e ilustron këtë, duke treguar për një “huq të kohës” kur njerëzit shpesh kapin veten mat duke thënë: “Se mos bëhem meme”. Dhe Shtembari e ravijëzon këtë pasi, për aq kohë sa kjo “frikë” ekziston, te çdo njeri duhet të vihet në punë imagjinata për të përfytyruar efektin e saj te njerëzit publikë apo pushtetarët.

“Sidomos aktorët e kanë në dorë këtë armë të fortë, e cila gjuan veç gudulisje dhe me to zgjon e shëron. Kur kjo ndodh, atëherë misioni ynë përmbushet”, përmbyll Shtembari.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore