Sport

E kërkon Chelsea, Inter-i e cakton çmimin e Onana-s


Andre Onana mund të largohet nga Inter-i pas vetëm një sezoni në “San Siro”, pasi interesi nga Premier League vazhdon të rritet sipas raportimeve në Itali.

Për disa muaj, portieri kamerunas është lidhur me një lëvizje për t’iu bashkuar Chelsea-it në afatin kalimtar të verës.

Siç raportohet nga “La Gazzetta dello Sport”, interesimi i bluve të Londrës është serioz dhe përfaqësues nga ta dhe të zikaltërve mund të takohen së shpejti në Milano për të diskutuar më tej një transferim të mundshëm.

Sipas raportit, synimi i Inter-it është të kërkojë një pagesë neto prej 40 milionë euro për të blerë Onana-n, i cili ka ende katër vite të mbetura në marrëveshjen pesëvjeçare që nënshkroi në korrik të vitit të kaluar.

Onana iu bashkua gjysmëfinalistëve të Ligës së Kampionëve në një transferim të lirë pas skadimit të kontratës së tij me Ajax-in në fund të sezonit të kaluar.

Kuptohet gjerësisht se Chelsea mund të jetë në treg për një portier duke pasur parasysh se Edouard Mendy ka qenë kryesisht jashtë favorit këtë sezon dhe e ardhmja e Kepa Arrizabalaga në “Stamford Bridge” duket se po i afrohet fundit.

Në rast se Onana do të largohet gjatë verës, zgjedhja e parë e zëvendësuesve do të ishte Guglielmo Vicario i Empoli-t përpara Marco Carnesecchi, i cili është i huazuar te Cremonese nga Atalanta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore