Sport

E fundit: Përfundon numërimi, Alimehmeti zgjidhet në krye të Shoqatës Rajonale së Tiranës


Ka përfunduar numërimi i votave për kreun e Shoqatës Rajonale të Futbollit të Tiranës. Votimi i delegatëve u mbajt në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF).

Me një rezultat prej 44-2, Krenar Alimehmeti u zgjodh në krye të kësaj shoqate. Alimehmeti kandidonte përballë Eduart Prodanit.

Më herët, Prodani ka denoncuar fryrjen e numrit të delegatëve në këto zgjedhje. Zgjedhjet u realizuan pavarësisht bojkotit të 30 anëtarëve, që akuzuan për manipulim me delegatët

Alimehmeti në këto zgjedhje u njoh si kandidati që kishte mbështetjen e FSHF-së. Ndërsa, Prodani kishte mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

Shoqata Rajonale e Futbollit Tiranë zbuloi dhe pesë fituesit nga gjashtë që ishin në garë për Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së. Të zgjedhurit janë: Fatjon Muhameti, Arbër Laçi, Marko Pelinxhi, Ervin Canollari dhe Florian Mema.

Kush është Krenar Alimehmeti për ata që nuk e njohin?

I lindur më 17 gusht 1966 në kryeqytet, ai është një nga legjendat e klubit të Tiranës.

I njohur edhe si Krenar Zhubi,  fitoi shtatë herë titullin kampion kombëtar, pesë herë Kupën e Shqiperisë dhe  dy herë Superkupën me Tiranën.

Në total, luajti 508 ndeshje për kampionat dhe Kupa dhe 14 ndeshje për Kupat e Evropës dhe Kupat Ballkanike.

Me bardheblutë luajti në vitet 1984-1991 dhe 1995-2002. Nga 1991-1995 luajti në Turqi.

Gjithashtu Alimehmeti ka luajtur edhe për Kombëtaren e Shqipërisë, në një ndeshje kundër Polonisë për kualifikueset e Kupës së Botës, në vitin 1988

Pasi u tërhoq nga futbolli i luajtur, ai u emërua në krye të klubit të Elbasanit për një sezon, në 2007/08. Në vitin 2011 kaloi në bordin drejtues të Klubit të Tiranës.

Ndërsa, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013, ai garoi nën siglën e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, duke qenë numri dy në listën e Tiranës.

Alimehmeti mban dhe disa vlerësime të larta si:“Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar Sporti”, “Nderi i futbollit Shqiptar” dhe “Mjrshtër i Madh”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore