Shqipëria

“E drejta është plotësisht në anën e Kosovës. Pikë”


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama

Në konferencën e përbashkët për media të Kryeminstrit të Shqipërisë, Edi Ramës dhe Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, kreu i ekzekutivit shqiptar tha se Kosova ka plotësisht të drejtë për reciprocitetin e vendosur me Serbinë, dhe se e drejta qëndron plotësisht në anën e saj.

“Nuk ka asgjë për të ndërmjetësuar, e drejta është me Kosovën dhe kaq. Kjo është shumë e qartë, kështu që ne jemi në krah të Kosovës siç është i gjithë komuniteti ndërkombëtar”, ka thënë ai.

“Nuk ka asnjë diskutim që Serbia është ajo që duhet ta njeh këtë realitet të pakthyeshëm dhe është me të vërtetë për të ardhur keq se në vend të përparimit konkret drejt dialogut dhe njohjes së ndërsjellë dhe shkëputej nga e kaluara, sot jemi dëshmitarë të manovrave teatrale ushtarake të Serbisë në kufirin me shtetin sovran të Kosovës”, deklaroi Kryeministri Rama.

Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut

Sipas tij, leximi i çuarjes i njësive speciale “si një arsye për të bërë teatër me helikopterë në Serbi është leximi më i gabuar”.

“Ky është një teatër i rrezikshëm sepse është shkrepësja që ndezë institucionet”.

Rama ka theksuar natyrisht se i takon Kurtit të marrë vendime të duhura që kjo të shërbejë për ta çuar përpara dialogun dhe të mos ngrit konflikte.

Madje, ai ka thënë se “nuk duhet të harrojmë se çfarë ndodhi me tarifën 100 për qind”.

“Ajo tarifë u kthye në litarë në këmbët e Kosovës për shkak se kaloi në një problem më të madh ngase vet problemi. Kjo gjë duhet shmangur. Ato djegiet atje të institucioneve nuk i provokojnë forcat legjitime të Kosovës, ato i provokojnë ato fluturimet akrobatike të avionëve”.

“Ne e mbështesim dialogun dhe jam i bindur se ajo është e vetmja rrugë”, shtoi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Ato manovra nuk mbrojnë në fakt qytetarët serbë të veriut të Kosovës. Sikundër pretendohet nga udhëheqja e Beogradit zyrtar, madje dhe nga disa fantazma gjeneralësh të ushtrisë së mundur 20 vjet më parë, sikur kanë dalë nga varri, me pretendimit që po mbrohet integriteti dhe siguria e qytetarëve serbë në Kosovë”.

Rama tha se qytetarët serbë nuk po kërcënohen nga askush, dhe se madje Qeveria e Kosovës u paguan atyre edhe faturat e energjisë elektrike, siç “nuk bëhet askund në rajon, e as në botë”.

“Fatkeqësisht ato manovra sjellin në skenë hije të së shkuarës, nxisin nacionalizmin vandal të zjarrëvënësve të institucioneve publike”, u shpreh kryeministri shqiptar në konferencë për shtyp.

Ndërsa për aplikimin e reciprocitetit të targave të përkohshme, Rama e quajti normë elementare e të drejtës legjitime të shtetit të Kosovës.

“Dua ta them edhe këtu sot qëndrimin e Republikës së Shqipërisë të cilin e gjykoj të qartë drejt, jo që mbetet i pandryshuar, se qysh nga çasti i parë që u shfaq ky problem. E drejta këtu është me Kosovën, nuk është me Serbinë”.

Rama tha se Serbia nuk ka asnjë të drejtë që të kthejë targat e automjeteve të përdorimit të përditshëm në një përditshmëri, siç tha ai, konfliktuale, ku “Serbia mizën e bën buall”.

“A thua se Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar ndonjë luftë!? Kur në fakt ajo po kërkon zbatimin e një marrëveshje reciprokisht të dakordësuar.”

Të dy Qeveritë pajtohen për një sekretariat koordinues për marrëdhënie bilaterale

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë këtij takimi të dy Qeveritë janë dakorduar për një sekretariat koordinues për marrëdhëniet bilaterale.

Ai në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka theksuar sfidat në të cilat të dy kryeministrat i kanë marrë mandatet e reja për qeverisje.

“U dakorduam që ta kemi një sekretariat koordinues për marrëdhëniet tona bilaterale i cili do të udhëhiqet nga Gentian Sala, i cili ka dy pasaportat”, ka thënë Kurti.

“Mandatet e dy qeverive tona i kemi marrë në një kohë me përplot sfida, përballja me pandeminë me COVID-19, rimëkëmbja ekonomike dhe zhvillimi i institucioneve demokratike janë disa nga sfidat tona për të cilat do të angazhohemi së bashku”, shtoi ai.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Përtej sfidave, Kurti potencoi se të dy qeveritë kanë mundësi e potencial për të realizuar projektet, duke rritur bashkëpunimin.

“Do të punojmë së bashku që tregu të jetë sa më unik. Nëse ka vende që kjo duhet të bëhet sa më shpejt këto janë pikërisht Kosova e Shqipëria sepse jo vetëm që e njohim njëra tjetrën por edhe e kemi besimin e plotë te njëra tjetra”, u shpreh Kurti.

Rama pritet me ceremoni zyrtare në Prishtinë, fillon takimi me Kurtin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me një ceremoni shtetërore.

Takimi do të mbahet me dyer të mbyllura, ku më pas të dy kryeministrat do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me një ceremoni shtetërore.

Vizita njëditore e kryeministrit Rama në Kosovë bëhet me ftesë të kryeministrit Kurti.

Rama gjatë kësaj vizite do të takojë edhe liderët e partive politike opozitare.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, me një ceremoni shtetërore.

Edi Rama mbërrin në Prishtinë, pritet nga Çeku e Rizvanolli

Në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” ka arritur Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, i cili sot do të zhvillojë vizitë një ditore në Kosovë bashkë me kabinetin e tij.

Rama është pritur nga ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Artane Rizvanolli dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku.

Në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” ka arritur Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama

Kjo është agjenda e plotë e vizitës së Ramës në Kosovë:

08:50 – Pritje ceremoniale nga Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës, në oborrin e Kryeministrisë.

09:00 – Takim dypalësh me Albin Kurti, kryeministër i Republikës së Kosovës. Në përfundim të takimit, do të mbahet konferencë e përbashkët për shtyp

10:45 – Takim me Memli Krasniqi, kryetar i PDK –së (Selia e PDK-së)

11:20 – Takim me Lumir Abdixhiku, kryetar i LDK –së (Selia e LDK-së)

12:00 – Takim me Behgjet Pacolli, kryetar i AKR –së (Hotel “Sëiss Diamond”, Prishtinë)

12:20 – Takim me Fatmir Limaj, kryetar i Nismës Socialdemokrate (Hoteli “Swiss Diamond”, Prishtinë)

12:45 – Takim me Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së (Selia e AAK-së)

13:30 – Drekë zyrtare me pjesëmarrjen e dy delegacioneve dhe prof. Rexhep Qosja (Vendi: Amazona Resort, Milloshevë) Përpara drekës do të mbahet një ceremoni e shkurtër për dekorimin e Rexhep Qoses, ku kryeministri Rama i dorëzon medaljen “Ylli i Madh i Mirënjohjes”, me rastin e 85-vjetorit të lindjes së tij.

15:40 – Bisedë me një grup studentësh të marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës (Salla 014 në Fakultetin Filozofik, Universiteti i Prishtinës).

Lajmi në përditësim

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore