Sport

E ardhmja e Dembele-s pritet të vendoset në këtë javë


Para dy muajsh ishte e sigurt një gjë, që Ousmane Dembele do të largohej nga Barcelona. Ai ishte i vendosur që të mos rinovonte kontratën me Barçën që i skadon në fund të këtij sezoni, por kjo gjë mund të ndryshojë gjatë kësaj jave.

Sipas asaj që raporton “ESPN”, drejtori teknik i Barcelonës, Mateu Alemany, pritet të takohet gjatë kësaj jave me agjentin e futbollistit, Moussa Sissoko, për të diskutuar detajet e rinovimit të kontratës.

Duke folur për media, Alemany kishte lënë të kuptohet se Barcelona ka ndryshuar qëndrimet e saj ndaj Dembele-s, të cilit i kishin thënë të gjente një klub të ri që në janar (për mos ta humbur me parametra zero në verë).

“Për ne, ai mund të qëndrojë për sa kohë që çdo marrëveshje me të, mbetet brenda kufirit të pagave të klubit dhe është në proporcion me shokët e tij të skuadrës”, tha Alemany.

Pra, në rast se marrëveshja arrihet, kjo do të shënojë një kthesë të jashtëzakonshme mes klubit spanjoll dhe futbollistit në fjalë.

Kjo pasi që para pak javësh ai ishte një i urryer nga blaugranat, kur vazhdimisht fishkëllehej në stadium, pasi që nuk pranonte rinovimin e kontratës me Barçën, pa përmirësuar kushtet financiare.

Në bazë të kësaj, Dembele u la në bankën rezervë në disa ndeshje, por me ardhjen e trajnerit, Xavi Hernandez, gjërat ndryshuan për së miri.

Xavi luajti një rol kyç te Dembele, i cili vendosi t’i besojë francezit, pa marrë parasysh marrëdhëniet që drejtuesit e klubit kishin me të.

Dhe këtë besim ia shpërbleu Dembele duke shënuar një gol dhe duke dhuruar tetë asistime në 10 ndeshjet e fundit me fanellën e Barcelonës.

Kjo ndikoi edhe te tifozët, të cilët në ndeshjen e fundit e duartrokitën, për dallim që në ndeshjet më herët vazhdimisht e fishkëllenin.

Kujtojmë që Dembele është pjesë e Barcelonës që nga vitit 2017, kur u transferua nga Dortmund-i për një shifër rekord prej 140 milionë euro.

Mirëpo, shkuarja e tij në “Camp Nou” nuk u doli ashtu siç u mendua, pasi që 24 vjeçari pësoi dëmtime të shumta, çka e lanë më shumë jashtë fushave sesa të kontribuonte për ekipin e tij.

Në bazë të kësaj, drejtuesit e Barçës (të gjendur edhe në krizë financiare) i ofruan atij rinovimin e kontratës me një pagë më të ulët, por Dembele nuk pranoi, i cili tha se në fund të sezonit do të largohet me parametra zero.

Që nga ardhja e Dembele-s në Barcelonë, ai ka zhvilluar 141 ndeshje në të gjitha garat me fanellën blaugrana, prej të cilave ka kontribuar me 32 gola dhe po aq asistime.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore