Lajme

Dyshimi i Prokurorisë bullgare për aksidentin: Një i mbijetuar është zhdukur, dera e pasme ishte e bllokuar


Zëdhënësja e Prokurorisë së Bullgarisë, Siika Mileva, gjatë një konferencë për media ka thënë se sipas një dëshmitari, një i mbijetuar është zhdukur.

“Kështu është matematika, kemi të dhëna se në autobus ishin 52 pasagjerë. Ne gjetëm 44 kufoma, 7 persona, 4 burra dhe 3 gra u shtruan në spital. Enigma e madhe mbetet – ku është personi i tetë? Ne punojmë sipas atij versioni, nuk duam të ngatërrojmë publikun. Mund të jetë edhe një deklaratë e papërshtatshme nga një dëshmitar okular”, tha Mileva.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Bullgarisë, Siika Mileva

Ndërkaq sipas hetuesit Marian Marinov, tragjedia është kaq e madhe sepse njëra derë e autobusit ishte e përfshirë nga zjarri, derisa ajo e pasmja ishte e bllokuar.

“Nga dera e parë askush s’ka mundur të dal sepse aty kishte zjarr. Të gjithë kanë vrapuar tek dera e pasme, e cila fatkeqësisht ka qenë e bllokuar nga njëri prej parmakëve të rrugës”, potencoi hetuesi Marian Marinov.

Prokurori bullgar: Nuk ka pasur shpërthim – viktimat janë asfiksuar nga tymi

Zëvendës Kryeprokurori i Bullgarisë, Borislav Safarov, ka publikuar informacionet zyrtare nga hetimi i deritanishëm lidhur me aksidentin e 23 nëntorit që u mori jetën 46 personave – mes tyre 12 fëmijë, ku vëren se viktimat janë asfiksuar nga tymi i zjarrit dhe nuk ka pasur shpërthim.

Zëvendës Kryeprokurori i Bullgarisë, Borislav Safarov

Fillimisht Safarov sqaroi se informacionet që qarkulluan se në autobus po transportoheshin lëndë djegëse “është hetuar dhe është hedhur poshtë kategorikisht”.

Zyrtari i drejtësisë e konsideroi si “të pabazë” – këtë njoftim që ka qarkulluar të mërkurën e 24 nëntorit në mediat bullgare apo maqedonase.

Të paktën 46 persona humbën jetën, 45 prej tyre shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, pasi një autobus u përfshi nga flakët në orët e para të 23 nëntorit.

Sipas autoriteteve bullgare, ky incident ndodhi në një autostradë të Bullgarisë Perëndimore.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore