Lajme

Dy vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë për marrje ryshfeti ndaj ish-kryeshefit të KPM-së


Luan Latifi.

Ish-kryeshefi i Këshillit të Pavarur për Media (KPM), Luan Latifi, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë më dy vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë për veprën penale marrje ryshfeti.

Latifi, akuzohet se ka kërkuar dhe marrë ryshfet nga pronarë të kompanisë “Telkos”, kjo me qëllim që kësaj kompanie të mos i shqiptohet gjobë.

Prokuroria ka vlerësuar se “Telkos” kishte bërë shkelje ligjore duke bërë shtrirje të rrjetit në disa vende për të cilat nuk kishte njoftuar KPM-në.

Latifi, është gjetur fajtor nga Gjykata për këtë vepër penale kështu duke iu shqiptuar dënimi me burgim në kohëzgjatje prej dy vitesh dhe dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.

Si dënim plotësues Latifit i është shqiptuar ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike në kohëzgjatje prej 3 vite.

Për këtë rast i akuzuar ka qenë edhe Arben Bilalli për marrje ryshfeti për të cilën e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 140 ditë burgim dhe 12 mijë euro dënim me gjobë.

Latifi në cilësinë e kryeshefit të Komisionit të Pavarur për Media dhe Arben Bilalli, si drejtor i Administratës dhe Financave në KPM, kanë kërkuar dhe marrë ryshfet shumën prej 8 mijë euro nga i dëmtuari Elhami Haziri, pronar i kompanisë “TelKos”.

Më 24 qershor të 2021-ës, Bilalli ishte takuar në zyrën e tij me pronarët e kësaj kompanie, Elhami Haziri, Enver Berisha dhe Ymer Kurtolli, të cilëve iu kishte kërkuar 20 mijë euro ryshfet, duke deklaruar se këtë shumë të parave po e kërkonte i akuzuari Latifi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore