Lajme

Dy miliardë euro shtesë kërkon Komisioni Evropian për Ballkanin Perëndimor


Flamuri i BE-së

Komisioni Evropian (KE), ka kërkuar buxhet shtesë për rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këtë kërkesë udhëheqësja e KE-së, Ursula von der Leyen, e ka bërë gjatë rishqyrtimit të kornizës afatmesmesme financiare.

Ajo ka kërkuar edhe 2 miliardë euro shtesë për katër vjetet e ardhshëm, ndërsa për periudhën 2021-2027 ishte miratuar një kornizë me periudhë afatgjate 7 vjeçare.

Kjo rritje e ndihmës financiare sipas KE-së po ndodh për shkak të pandemisë, luftës në Ukrainë, krizën e energjisë, migracionin, inflacionin dhe rritjen e normës së interesit.

Një pjesë e këtij buxheti parashikohet të shkojë si asistencë për shtetet e Ballkanit Perëndimor që përballen me sfidat e migracionit, kjo pasi blloku evropian vlerëson se përmes së ashtuquajturës “Rrugë Ballkanike” kalojnë një numër i madh i migratëve, që më pas shkojnë drejt shteteve të BE-së, raporton Radio Evropa e Lirë.

Po ashtu synohet të financohet forcimi i kontrolleve kufitare, i qendrave për strehimin e refugjatëve dhe programeve të ndryshme për menaxhimin e migrimit.

Komisionari i BE-së për buxhet, Johannes Hahn, theksoi se blloku evropian duhet t’i ndihmojë partnerët.

Ai veçoi Moldavinë dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, që përballen me lëvizjet e migratëve si për të mbrojtur kufijtë, ashtu edhe për t’u përballur me pasojat.

Shefja e KE-së, Ursula von der Leyen, është shprehur se ky ndryshim i buxhetit të bllokut është i domosdoshëm .

Sipas saj, “bota ka ndryshuar në mënyrë dramatike pas sulmeve të Rusisë kundër Ukrainës dhe tash BE-ja po përballet me pasoja, duke nisur nga kriza e energjisë dhe rritja e çmimeve”.

Propozimi i Komisionit Evropian, që ndryshon kornizën shumëvjeçare buxhetore – duhet të pranohet nga shtetet anëtare në Këshill dhe në Parlamentin Evropian.

Zakonisht disa shtete anëtare, sidomos që janë kontribuuese neto në buxhet pra që paguajnë më shumë sesa përfitojnë nga buxheti i Bashkimit Evropia  janë kundër rritjeve të mëdha.

Gjithashtu, edhe në të kaluarën, zyrtarët evropianë kishin deklaruar se është rritur nevoja për mjete financiare shtesë për Ballkanin Perëndimor, për shkak të sfidave të reja të paraqitura, që kryesisht kanë të bëjnë me sigurinë dhe lëvizjet e migrantëve.

Burimet në BE për Radio Evropën e Lirë kanë thënë se për rajonin e Ballkanit Perëndimor ka nevojë jo vetëm për mbajtjen e asistencës financiare përmes programeve të para anëtarësimit (IPA) në nivelin e tanishëm, por edhe për rritje.

Asistenca për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor ka për qëllim të ndihmojë në përgatitjen e tyre për integrim në Bashkimin Evropian.

Të gjitha vendet e rajonit kanë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, përveç Kosovës.

Dhjetorin e vitit 2022, Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe konsiderohet si “kandidate potenciale”, prandaj edhe është përfshirë në programet e BE-së për vendet në procesin e zgjerimit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore