Shqipëria

Dy lokale të përshtatura për organizimin e lojërave të fatit në Elbasan, arrestohen administratorët


Policia e Elbasanit ka evidentuar këtë të enjte të 6 prillit dy lokale të përshtatura për organizmin e lojërave të fatit.

Gjatë operacionit mësohet se janë vënë në pranga administratorët e lokaleve, të cilët fshihnin të ardhurat e përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.

Në pranga është vënë edhe një klient, i cili u kap duke luajtur, në njërin nga lokalet.

Pas kontrolleve u sekuestruan edhe tre celularë dhe  një kompjuter, që shërbenin për vënien e basteve sportive.

E gjitha vjen në vijim të kontrolleve të pandërprera në lokale dhe në ambiente të tjera në të cilat dyshohet se mund të organizohen lojëra fati, në kundërshtim me ligjin.

Kështu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan, bazuar në inteligjencën informative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Bet”.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit R. M., 45 vjeç dhe J. T., 33 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se kishin vënë në dispozicion të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, lokalet që administronin, në lagjen “Syrja Dylgjeri” dhe në lagjen “Skënderbej”, Elbasan.

Gjithashtu, u vu në pranga shtetasi N. R., 65 vjeç, banues në Elbasan, pasi u kap në flagrancë në njërin nga lokalet, duke luajtur lojëra fati.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 aparate celulare dhe 1 kompjuter, që shërbenin për të vënë baste sportive.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore