Lajme

Dy ditë pasi takoi Lajçak-un, Bislimi sot raporton në Komisionin për Integrime Evropiane


Besnik Bislimi

Dy ditë pasi që u takua me Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosalv Lajçak, këtë të premte, Zëvendëskryeministri i parë për Integrime Evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, do të raportojë në Komisionin për Integrime Evropiane.

Raportimi i Bislimit do të fillojë nga ora 9:00.

Kryetare e këtij komisioni është deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Rrezarta Krasniqi.

Bislimi aty do të raportojë për procesin e dialogut me Serbinë, kjo edhe pas takimit të fundit që e pati me top-diplomatin sllovak para dy dite në kryeqendrën evropiane, Bruksel.

Ndryshe, Dialogu në nivel kryenegociatorësh, të mërkurën e 19 korrikut, pas më shumë se shtatë orësh takime të ndara mes të deleguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak me Besnik Bislimin e Petar Petkoviç-in, përfundoi pa ndonjë rezultat konkret, por me disa përmirësime.

Lajçak, të mërkurën në Bruksel, zhvilloi takime ndarazi, fillimisht më kryenegociatorin e palës serbe, Petar Petkoviç-in e më pastaj me kryenegociatorin e palës kosovare, Besnik Bislimin.

Takim trelateral nuk pati, meqë siç shpjegoi Bislimi në një prononcim për media, për mos-zhvillimin e një formati të tillë insistoi lehtësuesi i procesit.

“Ka qenë si duket qëndrim i Lajçak-ut që në këtë moment, takimi trepalësh jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendon që ka ende nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje edhe ka ide që plani i sekuencimit [të Marrëveshjes Bazë] kërkon takim të nivelit të lartë, sipas tij, dhe qartazi kryenegociatorët nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme”, potencoi ai.

Bislimi, ishte i vetmi i cili u deklarua për media. Ai u largua nga Brukseli i habitur e i brengosur për disa pika, por shprehu edhe optimizmin se pati përmirësime në disa fusha.

Kryenegociatori i palës kosovare tha se me Lajçak diskutoi për katër tema: plani i sekuencimit të Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur, termat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes Bazë dhe për marrëveshjen për energjinë.

Zëvendëskryeministri i brengosur u shpreh për temën sekunecimit të Marrëveshjes së Brukselit/Ohrit, meqë sipas tij draftet e deritanishme që ndërmjetësuesi Lajçak u ka dërguar palëve për planin e sekuencimit janë selektiv dhe u kushtojnë më shumë vëmendje kërkesave të Serbisë dhe nuk garantojnë zbatim të plotë të Marrëveshjes.

“Ne kemi tentuar që në një takim trilateral me palën serbe të vendosim të gjitha obligimet që palët marrin nga marrëveshja bazike në një plan të detajuar të sekuencimit, nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision, por kemi përmirësim”, ka thënë ai.

I habitur u shpreh për çështjen e masave ndëshkuese të vendosura Kosovës nga BE-ja, pasi sipas tij, Kosova i ka plotësuar kërkesat e Unionit për shtensionimin e situatës në Veri, ndërsa kjo e fundit nuk po bënë asnjë hapë për të larguar masat.

Qeveria e Kosovës uli për 25 për qind prezencën e Policisë së Kosovës në dhe pranë ndërtesave komunale në Veri si hap i parë për të de-përshkallëzuar situatën në këtë pjesë të vendit, megjithatë një gjë e tillë nuk ishte e mjaftueshëm për BE-në, meqë sipas tyre heqja e masave ndëshkuese që Unioni i ka vendosur Kosovës do të varet nga zbatimi i obligimeve që ka marrë Kosova dhe hapat e tjerë që priten nga autoritetet në Kosovë për vazhdimin e përpjekjeve për të ulur tensionet në Veri.

Bislimi pranoi se Kosova ende nuk ka zbatuar të gjitha kërkesat e BE-së për shtensionimin e situatës në Veri të Kosovës, por të paktën ka treguar gatishmëri për të bërë një gjë të tillë.

Prandaj mbi këtë premisë ai kërkoi angazhim më të madh nga ana e Shefit të Diplomacisë së BE-së, Josep Borrell në këtë drejtim.

“Në Bratisllavë kemi dakorduar një marrëveshje që quhet ‘Aranzhime mes Kosovës dhe BE-së për implementimin  e qëndrimit të 27 vende anëtare të BE-së’ të datës 3 qershor. Rrjedhimisht titulli i asaj marrëveshje tregon se dakordimi ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së, dhe i përgjigjet këtyre kërkesave të BE-së”, potencoi ai.

“Për ne ka qenë e qartë se kjo është rruga për tërheqjen e masave të BE-së që janë vendosur ndaj Kosovës, dhe për ne është habi se edhe tetë ditë pas dakordimit ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e Borrell që të kërkojë largimin e masave nga Komisioni Evropian”.

Bislimi dha detaje edhe për temën e dytë të diskutuar me Lajçak, duke bërë të ditur se Kosova ka pasur disa komente të cilat janë mbështetur në përgjithësi nga diplomati sllovak për sa i përket termave të referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur.

“Ka mbetur vetëm një koment substancial me të cilën ata duhet të merren dhe mendoj që kjo dokument është shumë, shumë, afër adoptimit final që do të hapte rrugë edhe funksionalizimit të Komisionit të Përbashkët”.

Duke folur për Marrëveshjen e Energjisë e dakordësuar në mes të Kosovës dhe Serbia, Bislimi shprehu optimizmin se Kosova është shumë afër nënshkrimit të kontratës në mes të KEDS-it dhe Elektroseverit.

“Si duket në takimin e fundit që kemi pasur në Bruksel, ka pasur një keqinterpretim nga ana e Brukselit për atë se si do të duhej të duket marrëveshja që garanton nënshkrimin e kontratës. Në Bratislavë është eliminuar ky keqkuptim dhe ne mendojmë që jemi shumë afër nënshkrimit të kontratës mes KEDS-it dhe Elektroseverit”, shtoi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore