Shëndet

“Duro” nga Dafina Zeqiri, sukses në vete, parandalon vetëvrasjet


Kënga “Duro”, të cilën këngëtarja, Dafina Zeqiri, e publikoi gjatë muajit mars, si një projekt senzibilizues për parandalimin e stigmës nga shoqëria që iu shkaktohet personave me depresion dhe çrregullime të tjera si dhe motivimin për jetë të kësaj kategorie, ka pasur efekt të suksesshëm.

Kënga ka arritur impaktin e saj tek publiku dhe këtë e konfirmoi qendra “Linja e Jetës”, e cila ishte pjesë e projektit të Dafinës, e që po ashtu tash e sa kohë ofron shërbime pa pagesë në ndihmë të personave që janë në prag të vetëvrasjes, apo e mendojnë atë si opsion për t’i zgjedhur problemet me të cilat përballen.

Me një mesazh të shkruar drejtuar, Zeqirit, kjo qendër ka shkruar një falënderim për këngëtaren, ndërsa artistja nuk ka hezituar ta ndaj me publikun porosinë private që kishte marrur.

“Po e ndjej nevojën të të falënderoj përmes këtij mesazhi. ‘Duro’ ka pasur ndikim të pamatshëm në numrin e thirrjeve në linjën tonë. Çdo natë ka pasur thirrje të shumta nga shumë persona të cilët na kanë telefonuar, pasi që e kanë dëgjuar këngën tuaj dhe janë inspiruar të thërrasin te ne. Andaj, ju themi shumë herë faleminderit për një iniciativë të këtij lloji, që është duke e ndihmuar ‘Linja e Jetës’ me shpëtu sa më shumë jetë”, janë disa rreshta nga mesazhi që ‘Linja e Jetës’ i ka dërguar Dafinës.

Ndryshe, brenda tekstit të këngës “Duro” është shtjelluar dhimbja e pësuar nga personat që vuajnë nga depresioni, ankthi dhe sëmundje të tjera nervore e mendore.

“Duro” është mirëpritur qe në ditët e para te lansimit , dhe aktualisht numëronafro 9 milionë klikime në YouTube.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore