Shqipëria

Dueli i personelit mjekësor me skeptikët e vaksinës


Në Sukth, nuk ka mbetur asnjë shtëpi ku Ndriçim Rahi dhe Anila Shameti mos t’i kenë injektuar dikujt vaksina ose dhënë trajtime të tjera mjekësore gjatë 30 viteve të tyre si infermiere.

Agjencia e lajmeve, “Associated Press”, tregon se kësaj here, ata po përballen me një sfidë të vështirë për t’iu kundërvënë besëtytnive, teorive të konspiracionit dhe skepticizmit të përgjithshëm të vaksinave në rajon.

Kjo panoramë e ka bërë të vështirë bindjen e vendasve se tani, para dimrit, është koha për të marrë dozën e vaksinës.

“Dyert janë të hapura kur shkojmë, por nëse u kërkojmë të marrin vaksinën e COVID-19, jo të gjithë e pranojnë atë”, ka treguar Rahi.

“Ne këmbëngulim”, ka shtuar Shameti, “bëjmë telefonata dhe bindim shumë prej tyre”.

Gjatë këtyre kohërave të vështira pandemike, për doktor Mirian Beu dhe ekipin e tij, kanë qenë kontaktet e vazhdueshme dhe këshillat mjekësore, mjetet e përditshme për të vaksinuar 50-70 njerëz në ditë.

“Kanë besëtytni ose teori konspirative në të cilat ata besojnë dhe dëgjojnë, veçanërisht me mediat e përhapura në ditët e sotme”, ka treguar 36-vjeçari Beu.

Ata me sëmundje kronike kontaktohen dhe binden me telefon për të marrë vaksinat e tyre, shkruan “Associated Press”.

Kurse të tjerët binden kur vizitojnë qendrën shëndetësore për çështje të tjera mjekësore dhe afro një e treta e atyre që marrin vaksina përditë, i marrin ato në shtëpitë e tyre nga një ekip prej tre infermierësh.

“Me shëndetin tim, që vuaj nga diabeti dhe kushedi se çfarë tjetër në këtë moshë, vaksina është një armë e fortë në trupin tim”, ka rrëfyer 69-vjeçari Mezit Jahjolli pasi mori dozën përforcuese.

Megjithatë, ai ka zbuluar se pesë nga vëllezërit e tij nuk kanë pranuar të vaksinohen.

Aty, në Sukth, afro 45 për qind e 32 mijë njerëzve, 33 kilometra në perëndim të kryeqytetit, janë imunizuar plotësisht dhe disa madje kanë marrë injeksione përforcuese, ndryshe nga situata kudo tjetër në vend.

Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria ka qenë ndër të parat që nisi vaksinimet në fillim të marsit, por vetëm një e treta e 2.8 milionë banorëve kanë marrë të dyja dozat e vaksinës Pfizer, AstraZeneca, Sinovac ose Sputnik V, dallon agjencia.

Ndërkaq, në rrjetet e veta sociale, kryeministri Edi Rama ka postuar thirrje nga personazhe të njohur, në përpjekje për të bindur mbi 60 për qind të shqiptarëve që janë ende të pavaksinuar, të marrin vaksinën.

Sfidat me të cilat përballen këta punonjës mjekësorë janë të ndryshme.

Në fillim të vitit akademik në tetor, ishte e detyrueshme që studentët të vaksinoheshin. Mirëpo, shumë pak prej tyre e respektuan vendimin, duke shkaktuar edhe tensione.

“Associated Press” shkruan se Shqipëria ka ende një shtetrrethim gjatë natës dhe maskën e detyrueshme për të mbajtur në ambiente të mbyllura, por i vetmi vend ku kjo zbatohet është te bankat.

Sipas Aurora Hykës, shefe reparti e qarkut të Durrësit që përfshin Sukthin, pas një fillimi të mbarë të këtij viti, duke dhënë deri në 150 vaksina në ditë, numrat ranë ndjeshëm.

Njerëzit hezitojnë të marrin injeksione edhe pse punonjësit e mjekësisë kanë treguar se shumë prej tyre e pranojnë faktin se të pavaksinuarit shpesh vuajnë nga pasoja më të rënda se të vaksinuarit.

“Është një punë komplekse që duhet bërë me çdo individ për ta bindur”, ka thënë psikologia Marvina Troka.

Ajo ka vijuar se “duhet të koordinojmë punën jo vetëm mes nesh, por edhe me aktorë të tjerë, si zyrtarët lokalë apo udhëheqësit fetarë”.

50-vjeçari Sali Hasa, imam në fshatin e afërt Vadardhe, ka thënë se vaksinat janë një temë kryesore e diskutimit pas lutjeve të së premtes.

“Me diskutime të qeta, synojmë të ndihmojmë njerëzit të kuptojnë se vaksina është më e mira që mund të bëjnë për të luftuar virusin”, ka rrëfyer ai.

Dhe se “para se të prodhohej vaksina, kishte një problem të madh. Pasi u prodhua, erdhi shpresa. Shpresoj që njerëzit ta kuptojnë këtë të mirë”.

Ndërkohë, Hyka ka vlerësuar përpjekjet e përditshme dhe të vazhdueshme të punonjësve të mjekësisë.

“Koordinimi i mjekëve, infermierëve, drejtuesve të komunitetit dhe lojtarëve të tjerë ka prodhuar rezultate pozitive, me një rritje të qëndrueshme ose të lehtë të mjekimeve ditore”, ka veçuar shefja e repartit.

“Megjithëse nuk është e lehtë për ta të përballen me besëtytnitë dhe komplotet”, ka vazhduar ajo.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore