Lajme

“Duam një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë, njerëzit po vriten”, Zelensky përsërit lutjen për NATO-n


Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka përsëritur lutjen e tij për NATO-n që të krijojë një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.

Ai ka theksuar se ky do të ishte “hapi më i rëndësishëm”, pasi Ukraina përballet me “bombardimet e pandërprera” nga Rusia.

“Duam një zonë ndalim-fluturimi sepse njerëzit po vriten”, ka thënë ai.

“Pyeta presidentin Biden, Scholz dhe Macron… dhe thashë, nëse nuk mund të siguroni një zonë ndalim-fluturimi tani, atëherë na tregoni kur?”, ka treguar presidenti ukrainas.

Në Kiev, duke folur gjatë një konference televizive, ai ka vazhduar të pyesë se sa njerëz të tjerë në Ukrainë duhet të vriten përpara se NATO të pranojë të vendosë një zonë ndalim-fluturimi.

“Sa njerëz duhet të hidhen në erë? Sa krahë, këmbë dhe koka duhet të priten, që të kuptoni?”, ka reaguar Zelensky.

Mirëpo, NATO-ja nuk po shqyrton një zonë ndalim-fluturimi për të kundërshtuar agresionin rus në Ukrainë.

Të paktën kështu ka bërë me dije ambasadorja e SHBA-ve, Julianne Smith.

Për të, “NATO-ja nuk duhet të jetë pjesë e këtij konflikti”.

NATO është përballur me thirrje për të vendosur një zonë ndalim-fluturimi për të ndaluar Rusinë të përdorë avionët e saj për të mbështetur forcat e saj në terren.

Ama shumë prej tyre kanë ngritur shqetësime se masa do të përshkallëzonte konfliktin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore