Përballje

Drita dhe Llapi kërkojnë kualifikimin tutje në “Europa Conference Leauge”


Këtë të enjte ekipet kosovare do të zbresin në fushën e blertë, për të zhvilluar ndeshjet e kthimit të raundit të parë kualifikues në “Europa Conference Leauge”.

Nënkampioni i Kosovës, Drita do të ballafaqohet me ekipin nga Tuzi i Malit të Zi, Deçiç.

Ndeshja do të zhvillohet në stadiumin “Gradski Stadion” të Podgoricës, me fillim nga ora 20:45.

Gjilanasët do të jenë të favorizuar në këtë ndeshje, pasi që takimin e parë në Prishtinë, e fituan me rezultat 2:1.

Por, trajneri i Dritës, Ardian Nuhiu, nuk e mohoi se e pret një ndeshje e vështirë.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë dhe rezultati nga ndeshja e parë nuk do të thotë asgjë për ne. Ekipi i Deçiçit ka individë shumë cilësor, por ne do mundohemi që ta bëjmë më të mirën e mundshme dhe të arrijmë qëllimin tonë”, tha Nuhiu në konferencën për media.

Nëse Drita kalon në raundin e dytë, aty do të takohet me gjigantin holandez, Feyenoord.

Në anën tjetër, fituesi i Kupës së Kosovës, Llapi do të pretë në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, skuadrën tjetër shqiptare, Shkupin.

Llapjanët në ndeshjen e parë të zhvilluar në Shkup, u mposhtën me rezultat 2:0, andaj kualifikimin tutje, do ta ketë shumë më të vështirë se Drita.

Ndeshja do të fillojë në ora 20:00 dhe do të jenë të pranishëm një numër i limituar i tifozëve.

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, e mirëpriti rikthimin e tifozëve në tribuna, si dhe tha që ky fakt do ti favorizoj ata.

“Mendoj që për mua si trajner është një ndjenjë e veçantë, nesër rikthehen tifozët në tribuna janë ata që ne luajmë për ta, që të na përkrahin. Nesër duhet të mos bëjmë gabime, duhet të sakrifikojmë, sepse e kemi marrë mbi supe ketë barrë”, u shpreh Batatina në konferencën për media.

Nëse skuadra e Llapin, arrin të kualifikohet nga ky raund, atëherë do të ballafaqohet me portugezët e Santa Clara-s.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore