Lajme

Dreshaj i AAK-së: Pensionistët u goditën sërish nga “logjika autoritare” e pushtetit


Shemsedin Dreshaj

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shemsedin Dreshaj, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se Qeveria e Kosovës ka goditur sërish pensionistët me miratimin “anti-kushtetues” të projektligjit për skemat pensionale.

“Logjika autoritare, kundër kushtetuese dhe diskriminuese ndaj kategorisë më të ndejshme të kësaj shoqërie, të pensionuarve u goditën edhe një herë pas shpine nga kjo qeveri. Kjo qeveri vërteton edhe një herë mashtrimin e paskrupullt”, ka shkruar Dreshaj në llogarinë e tij.

Ai ka konsideruar se mosmiratimi i amendamenteve të propozuara nga ai për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti dhe mosrespektimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, tregon se ekzekutivi nuk pranon mendim ndryshe.

“Mosmiratimi i amendamenteve të propozuara nga unë si deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tregon se qeveria nuk pranon mendim edhe atëherë kur ka një opinion obligues nga Gjykata Kushtetuese. Këto amandamente u votuan kundër nga pushteti”, ka vijuar ai.

Me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar të enjten projektligjin për skemat pensionale, i cili parasheh që pensionistëve të përjashtuar nga skema për stazhin pensionale për punën në vitet 90-ta, nga tash e tutje do t’iu numërohen vitet e punës.

Të pranishëm në votim ishin edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilët votuan për këtë projektligj, ndërsa deputetët e dy partive tjera opozitare – Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk morën pjesë në votim.

Projektligji për skemat pensionale, sipas ekzekutivit kosovar, heq padrejtësitë me të cilat janë ballafaquar punëtorët që prej viteve 1990 me largimin e tyre të dhunshëm nga puna, ndërsa partitë opozitare e kanë kundërshtuar ekzekutivin lidhur me këtë projektligj, ngase sipas tyre, nuk janë zbatuar rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore