Lajme

Drejtuesit e FMN-së i kërkojnë Muratit miratimin e marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend


Ministri i Financave, Hekuran Murati në takim me Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Drejtuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Kombëtare kanë kërkuar nga ministri i Financave, Punës dhe Transfereve Hekuran Murati, që projektet të cilat janë negociuar në Kuvendin e Kosovës, duhet të kalojnë.

Pasi sipas tyre marrëveshjet ndërkombëtare janë “kredibile dhe me ndikim të konsiderueshëm” për ekonominë e Kosovës.

“Së fundmi, përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe FMN theksuan se projektet që janë negociuar dhe paraqitur në Kuvend për votim janë kredibile dhe me ndikim të konsiderueshëm për ekonominë e Kosovës, prandaj edhe votimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës është tejet i rëndësishëm”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ministria e Financave.

Në këto takime, është thënë se janë diskutuar një sërë çështjesh që lidhen me ecuritë e fundit ekonomike e fiskale, pritjet për vitin e ardhshëm dhe vitet në vijim si dhe për bashkëpunimin midis Ministrisë së Financave, Punë dhe Transfereve dhe FMN-së e Bankës Botërore.

“Për sa i përket zhvillimeve gjatë vitit 2023, Ministri Murati theksoi se përkundër vështirësive që vijnë nga ambienti i jashtëm, vlerësimet më të fundit tregojnë se rritja ekonomike do të jetë solide. Ministri Murati po ashtu informoi përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore për performancen e mbledhjes së të hyrave buxhetore, me theks të veçantë tek të hyrat tatimore”.

“Ai tha se ky është viti i tretë me radhë ku të hyrat tatimore kanë rritje dyshifrore, kjo falë aktivitetit të shtuar ekonomik dhe rritjes së eficiencës në mbledhjen e tatimeve.

Ndërsa përfaqësuesit falënderuan Muratin, për angazhimin e tij të drejtpërdrejt në përshpejtimin e ekzekutimit të projekteve ekzistuese.

Një pjesë e partive opozitare në Kosovë kanë vendosur që të mos votojnë asnjë marrëveshje ndërkombëtare që e sjell qeveria në Kuvend, për shkak të kursit problematik të këtij pushteti në raport me aleatët e shtetit, por nga qeveria akuzojnë se mos-votimi po ndodhë për shkak të inateve politike.

Në seancën e së premtes u refuzua të votohen disa marrëveshje ndërkombëtare që qeveria thotë se ia sjellin Kosovës, përmes kredive të buta dhe granteve, plotë 360 milionë eurove.

Megjithatë, kjo s’është hera e parë kur opozita nuk voton marrëveshje ndërkombëtare.

Monitoruesit e seancave të Kuvendit të Kosovës thonë ky s’është fenomen i rrallë dhe ka ndodhur vazhdimisht edhe në të kaluarën.

Qeveria akuzon opozitën, por marrëveshjet ndërkombëtare s’po i votojnë as disa deputetë të partisë në pushtet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore