Kosova

Qeveria akuzon opozitën, por marrëveshjet ndërkombëtare s’po i votojnë as disa deputetë të partisë në pushtet


Foto: Albanian Post.

Një pjesë e partive opozitare në Kosovë kanë vendosur që të mos votojnë asnjë marrëveshje ndërkombëtare që e sjell qeveria në Kuvend, për shkak të kursit problematik të këtij pushteti në raport me aleatët e shtetit, por nga qeveria akuzojnë se mos-votimi po ndodhë për shkak të inateve politike.

Në seancën e së premtes u refuzua të votohen disa marrëveshje ndërkombëtare që qeveria thotë se ia sjellin Kosovës, përmes kredive të buta dhe granteve, plotë 360 milionë eurove.

Megjithatë, kjo s’është hera e parë kur opozita nuk voton marrëveshje ndërkombëtare. Monitoruesit e seancave të Kuvendit të Kosovës thonë ky s’është fenomen i rrallë dhe ka ndodhur vazhdimisht edhe në të kaluarën.

Hulumtuesja, Violeta Haxholli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në një bisedë për Albanian Post deklaron se sesioni vjeshtor i Kuvendit, ashtu si dhe sesioni pranveror, është duke u karakterizuar me debate të shumta dhe mospajtime të mëdha mes partive.

“Në seancën e fundit e vërejtëm një qëndrim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të mos u përgjigjet pyetjeve parlamentare të opozitës për shkak të refuzimit të këtyre partive që të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Edhe pse dinamika në Kuvend sigurisht që karakterizohet me debate, por që kjo problematik duhet të zgjidhet për shkak të interesit të qytetarëve”, deklaroi Haxholli për Albanian Post.

Ajo pohon se pesë marrëveshje që nga muaji prill vazhdojnë të dërgohen në seanca të Kuvendit të Kosovës, por që të njëjtat asnjëherë s’janë votuar.

Hulumtuesja e Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Violeta Haxholli.

“Një pikë tjetër ku dëmtohet interesi qytetar është në çështje ku nevojiten më shumë vota, sesa që ka koalicioni qeverisës në dispozicion e për të cilat duhet edhe mbështetja e opozitës. Rasti i tillë është çështja e marrëveshjeve ndërkombëtare, për të cilat nevojiten 2/3 e votove nga ana e Kuvendit dhe ka një serë marrëveshjesh që janë që nga fillimi i kësaj legjislature dhe akoma s’kanë arritur të miratohen”.

Të tilla janë 5 marrëveshje që kanë qenë të pranishme në 25 seanca që nga muaji prill dhe akoma s’kanë marrë miratimin nga ana e Kuvendit, pikërisht për faktin se partitë opozitare nuk po i mbështesin.

Haxholli, kritika ka edhe për çështjet të cilat janë pjesë e rendit të ditës.

Nga monitorimet e saj rezulton se disa nga diskutimet bëhen ose vetëm sipërfaqësisht ose s’bëhen fare.

“Përmes këtyre dështimeve dëmtohet interesi qytetarë, pasi që ka shumë iniciativa ligjore, projektligje që presin miratimin nga ana e Kuvendit, përveç kësaj edhe rendi i ditës në Kuvend po karakterizohet me një mbingarkesë të madhe, çështje të cilat janë pjesë e rendit të ditës të cilat ose s’diskutohen fare ose diskutohen vetëm sipërfaqësisht”.

“Ka deputetë të pushtetit që s’votojnë marrëveshjet ndërkombëtare”

Jehona Lushaku Sadriu, Kryetare e Gruas në Lidhjen Demokratike të Kosovës (parti opozitare që po i voton marrëveshjet ndërkombëtare) pohon për Albanian Post se në këtë situatë fajtor nuk është vetëm opozita.

Ajo thotë se në mesin e deputetëve që nuk votojnë marrëveshjet ndërkombëtare janë edhe disa deputetë të pushtetit.

“Problemi është që ka pasur mungesë edhe të votave të Lëvizjes Vetëvendosjes dhe të dy partive opozitare. Do të thotë, në votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare s’mungojnë votat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ne shkojmë dhe i votojmë”, deklaron ajo për Albanian Post.

Ndërsa, shprehet se vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në seancën e fundit për të mos u përgjigjur në pyetjet e deputetëve të opozitës e cenon demokracinë e Kosovës.

Ajo thotë se një vend s’mund të ketë një kryeministër i cili refuzon t’u përgjigjet pyetjeve të parlamentit.

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku Sadriu

“Mungesa e gatishmërisë së kryeministrit për të dhënë përgjigje ndaj deputetëve të Kuvendit të Kosovës, është jodemokratike e cenon në thelb demokracinë në Kosovë, sepse s’ka kryeministër që guxon të mos i përgjigjet parlamentit. Kryeministri, e ka obligim kushtetuese e po ashtu ministrat nuk është çështje dëshire”.

“Kjo tregon për arrogancë, tregon për tendencë që të bëjë sistem totalitar dhe autoritar”.

Sadriu, ripërsërit që si parti po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, prandaj edhe kryeministri s’duhet ta vendosë gjithë opozitën “në një grup të përbashkët”.

“Është tendencë e kryeministrit që ta bëjë opozitën në një grup të përbashkët, pavarësisht që ne kemi deklaruar se do t’i votojmë këto marrëveshje”.

Nga viti 2021 kur është formuar, përbërja aktuale parlamentare ka miratuar 45 marrëveshje ndërkombëtare në fusha të ndryshme, kështu thuhet në faqen zyrtare të Kuvendit të Kosovës.

Kritikat e opozitës ndaj pushtetit janë shpeshtuar kohëve të fundit, qoftë për menaxhimin e krizave në veri apo për qasjen në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Ndërsa së fundmi opozita ka kërkuar që të miratohen tri kërkesa për Policinë e Kosovës nga pushteti e para është të paguhet shtesa për rrezikshmëri, e dyta ka të bëjë me sigurimet shëndetësore dhe e treta me pensionimin e parakohshëm të policëve të Kosovës.

Pas miratimit të këtyre pikave nga opozita kryesisht nga Partia Demokratike e Kosovës, është thënë se do të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.

Albanian Post ka pyetur edhe disa deputetë të PDK-së nëse do të ndryshojnë qëndrimin e tyre për votimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, por që deri në publikimin e këtij artikulli të njëjtit s’janë përgjigjur as përmes telefonit dhe as me shkrim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore