Shqipëria

Drejt përfundimit rruga Sukth-Maminas


Kryeministri Edi Rama ka inspektuar kantierin e rrugës Sukth-Maminas, i cili pritet të lehtësojë gjatë sezonit të sapo hapur turistik, qarkullimin e automjeteve drejt Gjirit të Lalëzit – një ndër bregdetet më të frekuentuara gjatë viteve të fundit nga qytetarët.

Aksi rrugor Maminas-Gjiri i Lalzit, është ndër më të rënduarit me trafik gjatë fundjavave verore. Pikërisht segmenti Sukth-Maminas, pritet ta lehtësojë qarkullimin e mjeteve. Kjo, pasi po zgjerohet traseja e rrugës.

Punimet do të pasohen nga asfaltimi, ndërtimi i trotuareve dhe ndriçimi rrugor.

Kryeministri ishte i pranishëm edhe në inspektimet e kantierit të ndërtimit në Manëz, në qytetin e Durrësit.

Nga aty Rama, bëri me dije se po vijon në të njëjtën kohë rikthimi në shtëpi i familjeve që humbën strehën nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ai bëri të qartë se puna për lagjen e re të Rilindjes, më nëntë pallate, shkollën, kopështin, qendrën multifunksionale dhe me mjediset sportive do të vijojë “pa pushim”.

“Deri në fund të vitit do të hapen dyert për 224 familje”, tha Rama.

Më herët, kryeministri Rama ka inspektuar punimet në dy zona periferike të Tiranës: Vaqarr dhe Ndroq.

Kryeministrin e kanë shoqëruar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe drejtuesin e fondacionit Fundjavë Ndryshe, Arbër Hajdari.

Fundjavë Ndryshe ka qenë ndër kontributorët kryesorë me fondet e mbledhura. Ato kanë shkuar për fillimin e rindërtimit të shtëpive në këtë zonë të Tiranës.

Sipas planit, është projektuar që në kompleks, të jenë të plotësuara të gjitha kushtet urbanistike.

Këtu përfshihen objektet arsimore, qendrat komunitare dhe hapësirat e dedikuara aktiviteteve sociale dhe atyre rekreative.

Sipas kryeministrit, kjo zonë po merr formën e vet ditë pas dite.

Punë po kryhet edhe për përfundimin e kanalizimeve të ujërave të zeza e të bardha.

Një falënderim i Ramës ka shkuar pikërisht për Hajdarin dhe punën që është bërë nga Fundjavë Ndryshe në bashkërendim me Qeverinë.

“Mirënjohje për Arbërin e palodhur, fondacionin Fundjavë Ndryshe dhe të gjithë ata, që bashkë me ne vijojnë çdo ditë punën, për të shëruar deri në fund çdo plagë e fshirë çdo gjurmë të katastrofës së 26 nëntorit tragjik”, shkruan kryeministri në Facebook.

Lagjja e re e Vaqarrit është vetëm një ndër pikat ku po punohet me rindërtimin. Lagje të tjera janë ato në Laç, Durrës, Shijak dhe Kavajë.

Laggja e re e Ndroqit ndërkaq, do të jetë gati brenda vjeshtës, për të mirëpritur banorët e zonës. Rreth 350 banorë do të përftojnë nga projekti i zhvillimit në këtë zonë.

Lagjja do të ketë në planin urbanistik edhe një kopsht, një shkollë dhe një qendër komunitare.

Pjesa qendrore do të ketë akses të shpejtë në shërbime për të gjitha moshat.

Rindërtimi vazhdon në rrethina të ndryshme të Tiranës, në Laç, Shijak, Durrës dhe Kavajë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore