Gjykata Speciale

Drecun i lumtur që Specialja ka hartuar aktakuzën siç i ka sugjeruar Serbia: Pala serbe i ka dhënë prokurorisë materiale për strukturën e UÇK-së


Milovan Drecun

Kryetari i Komisionit parlamentar për Kosovën në parlamentin e Serbisë, Milovan Drecun, duke folur për fillimin e gjykimit të katër ish udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) këtë të hënë në Hagë, ka thënë se pala serbe ka dhënë një kontribut të rëndësishëm për të dokumentuar se “UÇK ishte një ndërmarrje kriminale e organizuar me një strukturë hierarkike”.

Drecun tha se u mblodhën më shumë se 30 mijë dokumente dëshmuese, si dhe rreth qindra dëshmi.

“Aty janë edhe provat që ka dorëzuar grupi punues që unë formova dhe që punoi për gjashtë vite në mbledhjen e provave dhe fakteve”, tha Drecun.

Ai theksoi se të akuzuarit akuzohen jo vetëm për përgjegjësi individuale, por “edhe për ndërmarrje kriminale të prëbashkët”.

Ai tha se problem për prokurorinë ishte përcaktimi i akuzës, sepse nuk kishin prova që do t’i tregonin se UÇK ishte një organizatë me një strukturë hierarkike të fortë.

“Pala serbe i ka dhënë prokurorisë materiale të kapura nga forcat tona gjatë konfliktit me pjesëtarët e UÇK-së, të cilat mundësojnë t’i dëshmojnë organizimin hierarkik”.

“Sa herë që ata përpiqen të thonë që kjo nuk është një gjyq i UÇK-së, është një gjyq i UÇK-së, sepse flasim për një ndërmarrje kriminale të organizuar dhe thuhet se kanë marrë pjesë të gjithë, nga lidershipi politik dhe ushtarak, nëpër zonat operative të komandantëve, deri te ushtari më i thjeshtë dhe qeveria e Kosovës, gjykohet gjithë organizata për krime”, tha Drecun.

Ai theksoi se gjatë hetimit kishin një bashkëpunim të mirë me prokurorinë e Gjykatës Speciale, dhe se atëherë i thanë se do të bazojnë akuzën në burgosjet ilegale.

“Identifikuam 159 arreste, nga të cilat gjashtë në Shqipëri dhe u ofruam dokumentacionin e plotë. Ata kërkuan rreth dyzet vende, akuzat janë bazuar në to. Atëherë ata thanë se krimit do t’i lidheshin më lehtësisht përmes këtyre listave të arrestimit”, deklaroi Drecun.

Politikani serb Milovan Drecun: Pothuajse të gjitha ato që ia dhamë Speciales janë në aktakuzë

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore