Përballje

Dramë në Pallatin e Rinisë dhe të Sporteve, Trepça kalon në finale


Ndeshja e pestë e gjysmëfinales së “Play-Off”-it në Prince Cafe Superligën e Kosovës në basketboll dhuroi spektakël dhe emocione.

Trepça arriti ta mposht Sigal Prishtinën me rezultat 74:77, kështu duke u kualifikuar në finale të këtij edicioni në elitën e basketbollit kosovar me rezultat të përgjithëshëm 3:2.

Mysafirët befasuan duke e nisur me vrull ndeshjen, teksa çereku i parë përfundoi me shifrat 4:17 në favor të “Xehtarëve”.

Në çerekun e dytë prishtinasit “u zgjuan nga gjumi” duke e fituar me rezultat 27:22, për rezultatin e pjesës së parë 31:39 në favor të Trepçës.

Çereku i tretë ishte i baraspeshuar, të cilin e fituan vendasit me shifrat 19:18.

Derisa çereku i fundit solli një dramë të vërtetë.

Në minutën e fundit, vendasit kaluan për herë të parë në epëri në këtë ndeshje, kur Dardan Berisha shënoi për 3 pikë duke i çuar shifrat në 74:73.

Por, mitrovicasit nuk u dorëzuan dhe në fund morën fitore me rezultat 74:77.

Më i dalluari te Trepça ishte Will Daniels me 24 pikë, katër kërcime e dy asistime.

Ndërsa te Sigal Prishtina lojë të mirë shfaqi Dustin Thomas me 19 pikë e katër kërcime.

Kështu, pas pesë ndeshjeve gjysmëfinale Trepça siguron finalen e madhe ku i pret Peja, të cilët këtë javë eliminuan kampionin në fuqi, Golden Eagle Yllin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore