Lajme

Draghi sulmon von der Leyen dhe nordikët: Recesioni do të jetë faji juaj


“Kemi diskutuar për gazin për shtatë muaj me rradhë. Kemi shpenzuar dhjetëra miliarda të taksapaguesve evropianë që kanë shërbyer për financimin e luftës në Moskë dhe ende nuk kemi zgjidhur asgjë. Nëse nuk do të kishim humbur kaq shumë kohë, tani nuk do të ishim në prag të recesionit”.

Këto janë fjalët që dolën në përfundim të takimit në Pragë nga kryeministri italian, Mario Draghi.

Në mbledhjen e 27 liderëve etë Unionit, Draghi është në samitin e parafundit ndërkombëtar si kryeministër, në pritje të qeverisë së re nga Giorgia Meloni.

Me shikimin nga Ursula von der Leyen, Olaf Scholz, Mark Rutte, tonet e tij janë tepër të forta.

Me të parën ai e kishte diskutuar në konfidencë një natë më parë, duke e ftuar atë të ndalte vonesën dhe të mos ndikohej nga kolegët e saj gjermanë dhe holandezë.

Me dy të tjerët ka një ftohtësi të vërtetë.

Draghi është veçanërisht i irrituar me Scholz-in dhe vendimin e shpallur javën e kaluar për të ndarë 200 miliardë euro nga buxheti kombëtar për krizën e gazit.

Pavarësisht se janë në diskutim prej shtatë muajsh, liderët rreth tavolinës mbeten të ndarë në dy parti.

Nga njëra anë nordikët, ata që janë më të shqetësuar dhe më të varurit nga furnizimet me gaz rus, nga ana tjetër vendet e Mesdheut, të cilët mund të mbështeten në burime të tjera furnizimi (Italia dhe Spanja mbi të gjitha) ose në energjinë bërthamore, si Franca.

Para dhe pas takimeve, Draghi u pa disa herë të bisedonte me Emmanuel Macron.

Macron është dakord me Draghi-n për të bërë një deklaratë restauruese, e cila do të vijë.

Përveç politikës italiane, shqetësimi është për të gjetur një marrëveshje për çmimin e gazit deri më 20 tetor.

Gjatë takimit, kryeministri italian përsërit atë që i kishte thënë një ditë më parë Von der Leyen-it gjatë një takimi dypalësh: ajo që ka rëndësi nuk është vendosja e një tavani çmimesh të ngurtë, por një mekanizëm të aftë për të mbajtur çmimet brenda kufijve.

Sipas Draghi-t, vetëm vullneti politik mund të jetë i mjaftueshëm për të zgjidhur problemin, pikërisht siç ndodhi dhjetë vjet më parë me fjalimin “Whatever it takes” (çfarëdo që të duhet): vetëm ai angazhim mundi të shpëtojë monedhën e përbashkët nga më e keqja.

Për t’i dhënë meritë tezës së tij, Draghi vëzhgon dita-ditës trendin e tregut të gazit në Amsterdam, aty ku shkëmbehen kontratat e future-s dhe për rrjedhojë çmimet bazohen në pritshmëri dhe jo në sasinë fizike disponibël.

Dje tregtohej me 155 euro për megavat orë, 12 për qind më pak se një ditë më parë.

Si për të treguar që është mjaftueshëm që të flitet për një marrëveshjeje dhe çmimi bie.

Draghi ka insistuar në këtë pikë në tavolinat evropiane që nga 9 marsi.

Hera e parë ishte me Von der Leyen: “Ne duhet të lirohemi nga shantazhet ruse sa më shpejt të jetë e mundur”, i tha ai presidentes së Komisionit.

Tranzicioni i gjatë midis Angela Merkel dhe Scholz nuk ndihmoi në gjetjen e një zgjidhjeje.

Dhe në shtatë muaj, distanca midis Qeverisë italiane dhe asaj gjermane nuk u shkurtua kurrë: Draghi i bindur për nevojën për të ndërhyrë, duke bërë llogari në faktin se Unioni është një klient i domosdoshëm për Moskën, Scholz i shqetësuar për të kundërtën, ose për hakmarrjen e rusëve dhe shkurtimin e furnizimeve.

“Faktet po vërtetojnë se argumentet e mia janë të drejta”, përsëriti Draghi në Pragë.

Vendimi gjerman për të ndarë 200 miliardë fonde për të përballuar pasojat e krizës për të ishte pika kulminante.

Në këto shtatë muaj qeveria italiane ka akorduar më shumë se gjashtëdhjetë miliardë euro dhe tashmë me rritjen e interesave nuk ka më hapësirë për një deficit tjetër.

Kjo është arsyeja pse ai i kërkoi sërish Macron-it të mbështesë propozimin për një fond solidariteti evropian, pavarësisht nëse ai është një fond i pakthyeshëm apo në formë kredie.

“Ajo që ka rëndësi është të mbetemi të bashkuar mes nesh”, sepse ndërkohë “propaganda ruse është bërë më agresive dhe plot gënjeshtra”.

Frika e Draghi-t është ajo e shprehur ditët e fundit nga disa liderë baltikë: Putini me vetëdije po e vë Evropën në probleme për gazin për të nxitur tensionet sociale, për të ndërtuar konsensus dhe për të përçarë Unionin.

Marrë dhe përshtatur nga La Stampa për Albanian Post

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore