Shqipëria

“Draft-Asociacioni i Ramës ka elemente anti-kushtetuese”, kryeministri shqiptar: Këta se kanë lexuar, ku e dinë këta


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi se asnjë nga krerët shtetërorë të Republikës së Kosovës nuk e disponon draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe të propozuar prej tij duke shtuar se nuk e kupton se “ku e kanë lexuar”.

Lajmi u bë i ditur gjatë intervistës për transmetuesin “Klan Kosova”.

“Këta se kanë lexuar, ku e dinë këta. Drafti që unë kam përgatitur, është përgatitur nga ekspertë të nivelit më të lartë dhe ia kam dërguar tre personave: kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit francez Emmanuel Macron dhe shefit të Komisionit Evropian, Charles Michel”, theksoi fillimisht kreu i Qeverisë.

Arsyeja, sipas tij, që ky propozim është bërë pa konsultimin me autoritetet kosovare është se bëhet fjalë “për një draft-marrëveshje mes dy palësh dhe në këtë aspekt dhe unë kam dhënë një kontribut”.

“Ne vërtetë jemi dy vëllezër nga të njëjtët prindër, por jemi secili në shtëpinë e vet. Unë nuk e di që në qoftë se një vëlla tek shtëpia ku është me gruan dhe fëmijët i hyn sherrit me një komshi, dhe shkon vëllai tjetër dhe i fut flakën gjithë lagjes”, shtoi Rama.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një prononcim pas takimit me kryeministrin Rama, komentoi më herët përpjekjet e tij për zgjidhjen e krizës në veriun e Kosovës dhe draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin ua ka dorëzuar kancelarive evropiane.

Ai ka thënë se kryeministri Rama ka ndarë me autoritetet kosovare vetëm elementet e këtij mekanizmi madhor për serbët e Kosovës, porse sipas tij, propozimi i hartuar nga “ekspertë ndërkombëtarë” dhe i prezantuar nga kreu i qeverisë shqiptare është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

“Ai pretendon se është në përputhje me Kushtetuten e Kosovës… mua m’u kanë dukur qe elemente të caktuara të propozimit të kryeministrit Rama përmbajnë autonomi territoriale për serbët e Kosovës dhe kjo është në kundërshtim me interesat e kombit shqiptar dhe popullit të Kosovës”, ka thënë kryetari Konjufca.

Takimet në Kosovë

Më herët, kryeministri shqiptar u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryekuvendarin Glauk Konjufca.

Në llogarinë e saj zyrtare në “Facebook”, presidentja Osmani, shkroi vetëm se me Kryeministrin e Shqipërisë, diskutoi për samitin e NATO-s e për Procesin e Berlinit, por në njoftimin zyrtar të Presidencës së Kosovës, bëhet e ditur se ishte edhe “tema e nxehtë”, çështja e veriut të vendit.

“Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit. Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike”.

Në njoftimin zyrtar të Presidencës së Kosovës, megjithëse se në fund të fjalisë, bëhet me dije se dyshja kanë diskutuar edhe për tensionet në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe për planin tre-pikësh të Bashkimit Evropian për relaksimin e gjendjen së tendosur në terren.

“Në raport me situatën e sigurisë në veri, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për deeskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar për media të enjten.

Takimi mes Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Rama – nuk ka pasur konferencë të përbashkët për media – është realizuar vetëm një ditë pasi kryeministri kosovar, Albin Kurti, përjashtoi kategorikisht mundësinë e një takimi me homologun e tij, me të cilin kurrsesi të gjejë pajtueshmëri si të lëvizet përpara.

Kryeministri Rama në po të njëjtën ditë u takua edhe me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ku u shqyrtua mënyra se si të zgjidhet kriza gjithnjë e më e mprehtë në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe gjithashtu, rruga drejt implementimit të planit tre-pikësh të Bashkimit Evropian.

Takimi me Kovačevski-n

Me sytë nga Samiti i Procesit të Berlinit, i cili do të mbahet në Tiranë më 16 tetor, Rama nisi turin e takimeve dy ditore në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor me liderët e shteteve.

Fillimisht u takua me homologun maqedonas Dimitar Kovačevski.

“Patëm një takim dhe një diskutim shumë të dobishëm në kushtet kur Shqipëria do të mikpresë Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë dhe ku qëllimi im është që ky Samit të shënojë disa përparime konkrete, të prekshme, domethënëse, për të cilat po punojmë me Kancelarinë në Berlin dhe paralelisht po diskutojmë me Komisionin Evropian në Bruksel”, theksoi fillimisht kreu i Qeverisë.

Sipas tij, lajmi i mirë është se Komisioni, siç e ka shprehur dhe presidentja Von der Leyen, po punon në këtë drejtim.

Rama zbuloi se së shpejti do kemi një tjetër takim informal në Tiranë ku “do t’i ftoj të gjithë së bashku dhe ku do jenë prezentë dhe miq nga Bashkimi Evropian për të diskutuar konkretisht mbi planin”.

“Na duhet ky plan, na duhet kjo mbështetje dhe e meritojmë si vende në mes të Evropës që të mos shihemi thjesht si ata që duhet të bëjnë detyrat sepse detyrat ne duhet dhe do t’i bëjmë për vete, por dhe si ata që kontribuojnë dhe sot më shumë se asnjëherë tjetër, në këndvështrimin tim, është e qartë që Bashkimi Evropian ka nevojë për ne sa ç’kemi nevojë ne për Bashkimin Evropian”, shtoi ai.

Sa i takon nismës ‘Open Balkan’, Rama u shpreh se “një mijë herë të rikthehesha mbrapa, një mijë herë do ta ribëja”.

“Ballkani i Hapur është një nga 72 iniciativat që kanë në këtë rajon, për të cilat ju edhe nuk keni dëgjuar fare, jam i sigurt, siç edhe unë vetë kur e kam lexuar shifrën 72, jam habitur. Dhe çfarë e keqe i ka ardhur nga Ballkani i Hapur, rajonit? Përveç të mirave? Cilat janë të mirat? Merrni shikoni shifrat e tregtisë midis vendeve dhe mos e harroni asnjëherë që çfarë është bërë, nuk zhbëhet, përkundrazi. Çfarë është bërë ka shërbyer që edhe procesi i Berlinit që është ‘ombrella’ dhe tek e cila unë duhet të fokusohem 100% pasi Shqipëria është mikpritëse e Procesit të Berlinit, ka përfituar nga Ballkani i Hapur pikërisht shtysën”, vërejti kryeministri shqiptar.

Angazhimi i Ramës

Shefi i qeverisë shqiptare kohët e fundit është angazhuar intensivisht në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nën patronazhin e Bashkimit Evropian, i cili edhe ka bërë përpjekje dhe propozime të vazhdueshme për të gjetur një rrugë drejt qetësimit të situatës në veriun e Kosovës dhe kthimit në dialogun e Brukselit.

Megjithatë, ndonëse angazhimi aktiv i Kryeministrit Rama për të gjetur zgjidhje në krizën aktuale mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka marrë konsideratë minimale nga liderët institucionalë në Kosovë, autoriteti dhe konstruktiviteti i tij janë vlerësuar me nota pozitive nga diplomatët evropianë dhe ata amerikanë.

“Ai luan një rol aktiv dhe konstruktiv në krejt këtë krizë, ngase ai është njohës i mirë i situatës në terren. Sigurisht, si kryeministër i Shqipërisë, zëri i tij është mjaft autoritativ dhe duhet dëgjuar. E di se sa shumë kohë ka investuar për të gjetur një zgjidhje”, ka thënë Miroslav Lajçak – Emisari Special i Bashkimit Evropian.

Por tensionet në pjesën e banuar me serbë etnikë dhe vendosja e “masave ndëshkuese” ndaj Kosovës nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare, ka shtyrë kryeministrin Rama që të anulojë mbledhjen tradicionale mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës me arsyen e “mospërshtatjes me rrethanat e reja të krijuara”.

Ndërkaq, shefi i ekzekutivit kosovar, në një konferencë për media të mërkurën, ndërsa anulimin e mbledhjes së përbashkët e konsideroi si të “paarsyeshme”, theksoi se me kryeministrin Rama do të takohet veç në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive, por jo në takime të tjera.

“Unë miqësisht i kam kërkuar kryeministrit Rama, meqenëse do të vijë e të qëndrojë dy ditë e një natë në Prishtinë, që të mbajë edhe mbledhjen e dy qeverive, që ishte anuluar paarsyeshëm… Nëse kryeministri Rama insiston në anulimin e mbledhjes së dy qeverive, atëherë unë ngelem tek qëndrimi im”, tha Kryeministri Kurti.

Kryeministri Rama nga ana tjetër ka propozuar format më të ngushtë të mbledhjes ekzekutive Kosovë – Shqipëri, duke përfshirë ministrat e Jashtëm dhe të Mbrojtjes nga të dy vendet për të diskutuar lidhur me situatën në veriun e Kosovës të banuar me serbë etnikë, porse kjo ide nuk është pranuar nga kreu i ekzekutivit kosovar.

Ndërkaq, takimi mes Kryeministrit Rama dhe Presidentes Osmani vjen në një moment vendimtar për të ardhmen e marrëdhënieve mes Qeverisë së Kosovës dhe pjesës tjetër të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare, por edhe mes Shqipërisë, ndërsa në politikën kosovare gjithnjë e më shumë po shihet një “çarje” ndër-institucionale.

Kryeministri Rama nuk e prezanton tashmë vetëm një shtet të shqiptarëve dhe një republikë të vogël ballkanike, por një shtet anëtar në NATO dhe në paradhomë të Bashkimit Evropian. Dhe shtetet anëtare të NATO-s përpos ombrellës së sigurisë dhe privilegjeve, kanë edhe detyrime për mbrojtje të politikave të traktatit veri-atlantik.

Shuarja e tensioneve është interes strategjik edhe i Shteteve të Bashkuara dhe Kryeministri Rama e di këtë, prandaj ka marrë “anën pragmatike” të shtetit aleat e jo “anën ideologjike” të Kryeministrit Kurti, ndërsa Presidentja Osmani aktualisht mbetet “pragu i fundit” i mbrojtjes së vlerave të përbashkëta euro-atlantike të kosovarëve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore