Lajme

Dosja e Prokurorisë zbulon se u vodh në grurë, vaj e sheqer – gruri erdhi me mungesë, sheqeri e vaj nuk erdhën fare


Janë 52.5 tonë grurë, 200 mijë litra vaj, 120 mijë kilogramë sheqer që do të duhej të ishin në Rezervat Shtetërore e nuk janë për shkak të keqpërdorimit të 600 mijë eurove, thuhet në dosjen e prokurorisë për rastin e korrupsionit në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Sipas dosjes që ka rrjedhur në media, përgjegjës për këto keqpërdorime janë dy zyrtarët e MINT-it, drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara dhe drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica.

Por, gjithashtu edhe biznesmeni Ridvan Muharremi, i cili përmes avokatit të tij e pranoi se ishte angazhuar nga ministria për të blerë mallrat për Rezervat Shtetërore, por që u mohua të jetë kështu nga ministrja Rozeta Hajdari.

Lipovica, Gara dhe Muharremi tashmë janë arrestuar nga Prokuroria Speciale.

Sipas dosjes Lipovica e Gara akuzohen se kanë tejkaluar kompetencat zyrtare duke lejuar anashkalimin e procedurës së hapur të prokurimit publik.

Aty thuhet se Lipovica ka anashkaluar anëtarët e tjerë të Komisionit për Negocimin e Kontratave duke ia mundësuar biznesmenit Muharremi të luajë rolin e ndërmjetësuesit mes ministrisë dhe operatorit ekonomik nga Turqia.

Gënjeshtrat vaj vaj

Theksohet po ashtu se ishte nënshkruar kontrata për blerje të 10 mijë tonëve nga Turqia për 4 milionë e 834 mijë euro dhe më pas ishte nënshkruar një kontratë për furnizim me vaj luledielli dhe sheqer në sasi 200 mijë litra vaj dhe 120 mijë kilogramë sheqer, për 276 mijë euro.

Siç bëhet e ditur, vaji e sheqeri nuk erdhën asnjëherë në rezervën e shtetit.

Dosja sqaron se ishte Gara që ka adresuar te Lipovica kërkesën për përjashtim të procedurave të prokurimit “edhe pse e ka ditur se kërkesa e tillë nuk ka bazë ligjore, e cila më pas i është adresuar Qeverisë së Kosovës, me qëllim për ta kufizuar konkurrencën dhe fshehur shkeljen e ligjit”.

Kurse, Muharremi dyshohet për “dhënie të ndihmës në kryerje të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në arsyetim, Prokuroria ka thënë po ashtu se ka edhe “disa persona të tjerë në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Kosovës, të cilët do të identifikohen në ditët në vijim, e që do të trajtohen sipas ligjit”.

Përveç segmenteve të caktuara që konsiderohen të kundërligjshme nga prokuroria, në dosje thuhet se “është i pakontestueshëm fakti se e tërë procedura e blerjes së produkteve të rezervës shtetërore të Kosovës për vitin 2022 është zbatuar në kundërshtim me ligjin dhe procedurat”.

“Nga veprimet, mosveprimet, lëshimet dhe shkeljet e kryera nga të pandehurit, ka rezultuar se vendi nuk është pajisur me produkte të Rezervës Shtetërore, duke shkaktuar dëm material në lartësi të paktën 601 mijë e 940 euro, mirëpo shuma e saktë e dëmit, vlerësohet të jetë shumë më e lartë se kjo, por që saktësisht do të përcaktohet pas verifikimeve dhe angazhimit të ekspertit përkatës”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore