Film

Dokumentari kushtuar Rosa Parks, ikonës së pashfaqur të të drejtave civile


Bazuar në një biografi nga Jeanne Theoharis, “In The Rebellious Life of Mrs. Rosa Parks”, është filmi i parë dokumentar për Parks.

Është një kundërpërgjigje ndaj zakonit reduktues të kulturës popullore për të inkuadruar jetën dhe trashëgiminë e një personi në një titull të vetëm.

Në rastin e Parks, një rrobaqepëse që refuzoi të lironte vendin e saj në një autobus të mbushur me njerëz për një pasagjer të bardhë në Montgomery, Alabama, një mbrëmje dimri të vitit 1955.

Ky veprim i vetëm është ai për të cilin ajo njihet në librat e panumërt shkollorë, si dhe në një episod të serialit fantastiko-shkencor të “BBC”-së, “Doctor Who”.

Në vitin 2005, pas vdekjes së saj, “New York Times” e quajti “matriarkja aksidentale e lëvizjes për të drejtat civile”.

Por dokumentari 96-minutësh pretendon se nuk kishte asgjë të rastësishme, duke demonstruar aktivizmin e saj si gjithëpërfshirës.

Çka i ka paraprirë incidentit të autobusit, duke zgjatur me dekada dhe duke u lidhur pazgjidhshmërisht me Malcolm X, Martin Luther King dhe politikanë me ngjyrë në Washington.

Bashkë-regjisorja Yoruba Richen ka treguar se dokumentari pasqyron shumë nga ato që njerëzit nuk dinë për të paçka se emrin mund t’ja dinë, por fytyrën jo.

Kurse Johanna Hamilton ka vijuar se ajo nuk njihet tërësisht, kur në fakt ka qenë gjithmonë e pranishme edhe pse prania e saj është mbajtur e fshehtë.

“Thjesht duhet ta zhvendosësh kamerën dhe ajo është në kornizën e marshimit të Selma në Montgomery, por shumë shpesh nuk e sheh atë edhe pse është aty”, ka thënë ajo.

Parks lindi në Tuskegee, Alabama, në vitin 1913.

Familja e saj u dëbua dhe si fëmijë i vogël iu desh të fshihej nga Ku Klux Klan për të shmangur vrasjen.

“Në fillim të shekullit të XX-të, kjo është periudha që shpesh përmendet si pika e ulët në historinë afrikano-amerikane. Disa njerëz madje argumentojnë se është një periudhë më e keqe se skllavëria”, ka treguar historiani Francis Gourrier.

Ajo, në moshën 6-vjeëare, kuptoi se nuk ishte e lirë.

Rrinte gjithë natën zgjuar me gjyshin e saj, i cili mbante armën pranë për t’u mbrojtur kundër Klan-it.

“Gjyshi ishte ai që i nguliti në mendje nënës time që të mos duronte keqtrajtimin nga askush. Kjo thuajse u transmetua në gjenet tona”, ka treguar ajo.

Prandaj dhe është shprehur se do të ishte më mirë ta vrisnin sesa të duronte keqtrajtimin dhe të mos lejohej të thoshte “nuk më pëlqen”.

Nipi i saj i madh, Lonnie McCauley, ka thënë në dokumentar se “kemi për ta kuptuar që kjo grua ishte luftëtare që në lindje, se do të luftonte me ju”.

Teksa u rrit, ajo u kthye në një aktiviste në Shoqatën Kombëtare për Përparimin e Njerëzve me Ngjyrë (NAACP).

U martua me Raymond Parks, një berber politikisht aktiv që e ndihmoi të organizonte mbrojtjen e nëntë djemve Scottsboro, të akuzuar në mënyrë të rreme për përdhunimin e një gruaje të bardhë në Alabama.

Por ishte vrasja e Emmett Till, një djaloshi 14-vjeçar me ngjyrë në Mississippi, në gusht 1955, që u kthye në një katalizator për Parks dhe shumë të tjerë.

Në Montgomery, më 1 dhjetor, ajo nuk iu bind një ligji që kërkonte nga pasagjerët me ngjyrë që t’u lironin vendin pasagjerëve të bardhë kur autobusi ishte plot.

Transporti publik ishte një nga shembujt e përditshëm të ndarjes racore dhe ishte një sfidë e vërtetë.

“Për shkak se ajo kishte qenë kaq e përfshirë politikisht, ajo e dinte se ishte një temë e qëndrueshme dhe se kryesisht gratë, por edhe burrat, po hidheshin nga autobusët në të gjithë vendin”, ka thënë Hamilton.

“Në Montgomery ishte një ish-veteran, i cili u qëllua pasi refuzoi të lironte vendin dhe u hodh nga autobusi. Ajo i dinte të gjitha këto. Ky ishte guximi që duhej. Siç thotë ajo me fjalët e saj, ajo nuk e kishte idenë se çfarë do të ndodhte me të teksa priste që të vinte policia”, ka vijuar regjisorja.

Parks, pas kësaj, u arrestua.

“Isha shtyrë gjatë gjithë jetës sime dhe ndjeva në këtë moment se nuk mund të duroja më. Kur e pyeta policin pse duhej të na shtynin, më tha se ligji është ligj. Nuk rezistova”, ka thënë ajo.

Veprimi i saj i guximshëm shkaktoi një bojkot 381-ditor të sistemit të autobusëve në Montgomery dhe çoi në një vendim të Gjykatës Supreme të vitit 1956 që ndaloi segregacionin në transportin publik.

Richen e quan këtë “një fitore”.

“Por reagimi personal ndaj saj ishte shumë intensiv. Kishte kërcënime, kërcënime të dhunshme nga komuniteti i bardhë. Komuniteti me ngjyrë po ashtu nuk donte të lidhej me të, duke e parë si ngatërrestare”.

Së bashku me bashkëshortin, ajo humbi punën dhe ishin keq financiarisht. Kështu, u zhvendosën në Detroit ku një familje u kujdes për ta.

Trajtimi mund të kishte qenë shumë i ndryshëm nëse Parks do të ishte burrë.

Lëvizja për të drejtat civile nuk ishte imune ndaj shovinizmit mashkullor.

Në Marshimin e Washington-it për Punë dhe Liri në vitin 1963, ajo u pranua, por iu mohua një pjesë e të folurit.

Reverendi JoAnn Watson, një ish-anëtar i këshillit të qytetit të Detroit-it, ka treguar se edhe pse gjithë puna dhe organizimi bëhej nga gratë, ishin burrat ata që merrnin postet.

Ngjashëm ndodhi edhe me Parks, ajo bënte punën.

“Është patriarkaliteti që vazhdon edhe sot: kush është në pushtet, kush ka kontroll dhe kontrollon narrativën. Gjërat janë pak më mirë, veçanërisht me lideret e reja të lëvizjeve të tilla”, ka thënë Richen.

Parks iu bashkua zyrës së kongresmenit amerikan John Conyers dhe punoi në stafin e tij nga viti 1965 deri në vitin 1988.

Ajo mbështeti përpjekjen e suksesshme të Shirley Chisholm për t’u bërë gruaja e parë me ngjyrë e zgjedhur në Kongres, si dhe kandidimin presidencial të Chisholm.

Në vitin 1996, ajo u nderua me Medaljen Presidenciale të Lirisë në Shtëpinë e Bardhë.

Çfarë do të bënte ajo sot për Amerikën?

“Ajo ishte gjithmonë e pakënaqur me atë se ku po bëhej përparim me liritë, por ajo gjithmonë e mbante luftën të gjallë. E dinte se lufta ishte e vazhdueshme. Ne mund të frymëzohemi për shumëçka nga ajo”, ka thënë Richen.

Parks ndërroi jetë në moshën 92-vjeçare në shtëpinë e saj në Detroit në tetor të vitit 2005, tre vjet para se të dëshmonte zgjedhjen e presidentit të parë me ngjyrë të Amerikës, Barack Obama.

Në vitin 2019 koleksioni i saj personal i shkrimeve, reflektimeve dhe kujtimeve doli në ekspozitë publike në Bibliotekën e Kongresit.

Me kalimin e viteve, ajo duket se bëhet gjithnjë e më me ndikim.

Ndërkohë, dokumentari përmban intervista me akademikë dhe aktivistë si Bryan Stevenson, Patrisse Cullors dhe Ericka Huggins, si dhe histori personale nga familja e saj.

“Qëllimi ishte ta largonim atë nga e kaluara e largët dhe nga ai piedestal shumë i thjeshtuar që i është vendosur. Është e rrallë dhe emocionuese të jesh në gjendje të gërmosh një ikonë dhe të zbulosh dikë edhe më të mirë”, ka thënë Hamilton.

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore